75 Mall Live Search
10:23 / E Premte, 27 Shkurt 2026 / P M

Rama ndryshon qeverinë, ikin Balluku, Spiropali e Vengu

Edi Rama shkakton një tërmet të vërtetë në qeveri, jo vetëm duke bërë një zëvendësim të detyruar të Belinda Ballukut.

Siç bëjnë me dije burime nga mbledhja për gazetarin e Top Channell-it Muhamed Veliu, Rama ndryshoi drejtimin e 8 ministrive, vetëm 5 muaj pasi mori votëbesimin e kabinetit të katërt qeverisës në shtator të vitit të shkuar.

Ministrat e qeverisë “Rama 4” patën një ditë të gjatë me raportime për avancimin e projekteve përpara grupit parlamentar socialist, por në fund u përballën me surprizën e ndryshimeve.

Pak përpara se të lexonte emrin e Albana Koçiut si zëvendëskryeministre, burime nga grupi parlamentar socialist treguan për Top Channell-in se Edi Rama kishte deklaruar: “Pavarësisht karakterit të saj të fortë, doni apo nuk doni ju, Belinda Balluku për punët e saj si ministre, apo edhe për angazhimet politike, është e zorshme të zëvendësohet.”

Postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjitikës, të mbajtur nga Belinda Balluku, Rama ia beson Enea Karakaçit, aktualisht administrator i OSHEE-së.

Nga ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë.

Ferid Hoxha, diplomat karriere, ish-ambasadori ynë në OKB dhe aktualisht kreu i misionit tonë në BE, do të jetë ministër i Jashtëm, duke zëvendësuar Elisa Spiropalin.

Besfort Llamallari, aktualisht ministër i Drejtësisë, do të marrë postin e ministrit të Brendshëm, duke u rikthyer në këtë ministri ku ka shërbyer si zëvendësministër në qeverinë “Rama 3”.

Largohet nga drejtimi i Mbrojtjes Pirro Vëngu, duke u zëvendësuar nga Ermal Nufi, i cili ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm në kabinetin e Belinda Ballukut si zëvendëskryeministre.

Erjona Ismaili, deputete e qarkut Vlorë, do të jetë ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi përmes një videomesazhi ndaj lëvizjes së fundit të kryeministrit Rama, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të shpëtuar veten. Berisha u bëri thirrje qytetarëve dhe opozitës të vazhdojnë protestat, duke theksuar se qëllimi i tyre është largimi i Ramës nga pushteti. Ai kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit, duke e bërë përgjegjës për krizën që po përjeton vendi.

Ndryshimet u bënë në ministrinë e Jashtme, të Drejtësisë, të Brendshme, Marrëdhëniet për Parlamentin, Infrastrukturës dhe Mbrojtjes. Ndërkohë, janë 9 ministri të cilat nuk janë prekur nga riformatimi i qeverisë.

Petrit Malaj, Ministria e Financave, Delina Ibrahimaj, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Mirela Kumbaro, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Sala, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Blendi Gonxhe, Ministria e Kultirës dhe Sportit, Andis Salla, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Adea Pirdeni, minisitre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Ervin demo, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, Majlinda Dhuka, ministre e Shtetit dhe kryenegociatorja në BE, shkruan TCh-ja.

Ndryshimet në qeveri u bënë gjashtë muaj pas votimit të kabinetit “Rama 4” në Kuvendin e Shqipërisë.

Zv.kryeministër Ikën Belinda Balluku, vjen Albana Koçiu

Ministria e Jashtme Ikën Elisa Spiropali, vjen Ferit Hoxha

Ministri e Drejtësisë Ikën Besfort Lamallari, vjen Toni Gogu

Ministria e Brendshme Ikën Albana Koçiu, vjen Besfort Lamallari

Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin Ikën Toni Gogu, vjen Erjona Ismaili

Ministër i Infrastrukturës dhe Energjetikës Ikën Belinda Balluku, vjen Enea Karakaçi

Ministër i Mbrojtjes Ikën Pirro Vengu, vjen Ermal Nufi