17:31 / E Diele, 05 Maj 2019 / indeksADMonline

Rama: Në Berlin morëm sinjale pozitive

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, rikonfirmoi se nga Samiti i Berlinit kishte marrë sinjale pozitive sa i përket hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Në emër të qeverisë tha se janë përmbushur detyrat e ngarkuara nga Brukseli në këtë proces, rekomandimi për të cilin sipas tij është bërë pa kushte që vitin e kaluar.

“Në Berlin morëm sinjale pozitive. Ne shpresojmë se Komisioni Evropian do japë rekomandim pa kushte se në nivelin e detyrave të shtëpisë të marrim atë që na takon. Ne vjet morën rekomandimin pa kushte dhe po vjet, Këshilli Evropian vendosi që për arsye të brendshme në disa prej vendeve të BE-së, kjo temë të adresohet qershorin që vjen.”

Rama thotë se hapja e negociatave më së shumti diktohet nga proceset e brendshme politike të vendeve anëtare të BE-së.

“Rekomandimi shkon në Këshillin Evropian i përbërë nga 28 vende anëtare, të cilat vlerësojnë rekomandimin në nivel politik dhe vjet ishin shumica dërrmuese e vendeve që e pranuan rekomandimin dhe kërkuan hapjen e menjëhershme të negociatave. Mjafton kjo për të kuptuar se ka një lidhje të drejtpërdrejtë të asaj që bën një vend për integrimin dhe asaj që vendet e tjera bëjnë në varësi të proceseve të tyre të brendshme.”

Në këtë proces jetik për të ardhmen e vendit sheh një pengesë, pas së cilës thotë se qëndron opozita.

“Një forcë e brendshme është përpjekur dhe përpiqet çdo ditë të pengojë hapjen e negociatave duke e kthyer këtë objektiv kombëtar në një argument të retorikës së ditës”, transmeton tvklan.

Ndonëse nuk ka ende një vendim zyrtar për hapjen e negociatave, Kryeministri shprehet besimplotë se drita jeshile për Shqipërinë mund të ndizet edhe në Qershor.

“Ne do të bëjmë gjithçka të marrim vendimin pozitiv mundësisht në qershor, por pa diskutim brenda këtij viti”/Indeksonline/