75 Mall Live Search
15:59 / E Mërkurë, 17 Dhjetor 2025 / Z S

Rama në Bruksel, takohet me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e jashtme të BE, Kaja Kallas

Në vijim të agjendës së tij në Bruksel, në kuadër të Samitit BE- Ballkani Perëndimor, Kryeministri Rama zhvilloi një takim me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e jashtme, njëkohësisht ZV/Presidente e Komisionit Europian Kaja Kallas.

Samiti synon të theksojë rëndësinë e marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik dhe nevojën për lidhje gjithnjë e më të forta midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Në nisje të agjendës, Kryeministri Edi Rama u prit në një takim nga Presidenti i Këshillit të Europës Antonio Costa.

Kryeministri Rama do të marrë pjesë në seancën plenare “Thellimi i bashkëpunimit dhe avancimi i integrimit gradual, përfshirë “Roam like at home”, si dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, të drejtuar nga Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa, me pjesëmarrjen e Presidentes së Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen, Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë Kaja Kallas, si dhe Presidentes së Parlamentit Europian Roberta Metsola.

Samiti fokusohet te Paketa e Zgjerimit 2025 dhe te Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh, që synon afrimin ekonomik dhe përshpejtimin e reformave./Indeksonline/