Rama në Davos për Shqipërinë turistike: Kemi angazhuar arkitektë nga e gjithë bota për projekte që nuk i gjen në rajonin tonë

Shifrat rekord të vizitorëve të huaj në Shqipëri kanë zënë një pjesë të rëndësishme të fjalimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në tryezën e Forumit Ekonomik Botëror me tematikën “Mënyra se si do të udhëtojmë”.
Duke e konsideruar “turizmin si kalin e betejës”, nënvizoi se sektori i turizmi ka gjeneruar 3.8 miliardë euro vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2024.
Sipas tij, Shqipëria ka mirëpritur 11.7 milionë vizitorë të huaj, një rritje prej 15 për qind krahasuar me vitin 2023.
“Para se të arrimin këtë sukses në turizëm ne kishim sfidën që të ruajmë duke ndërtuar atë që na nevojitet. Është një sfidë shumë e madhe sepse Shqipëria ka fshatra të pabesueshëm dhe diversitete të jashtëzakonshme dhe ndërkohë duhet të kemi më shumë investime, kështu që përpiqemi ta balancojmë këtë. Kjo është një çështje madhore. Vitin e shkuar e mbyllëm pothuajse 12 milionë turistë në një vend që ka 2.8 mln banorë. Aeroporti ka pasur një rritje të trafikut të jashtëzakonshëm, po hapim një të ri në Vlorë. Turizmi për ne është një industri e re që po e ndërtojmë dhe nga e cila po shohim zhvillim të jashtëzakonshëm që nga hapja e maleve tona për turistët që duan të ngjiten, apo me propozime si Jared Kushner për të ndërtuar e zhvilluar deri tek një nga kompanitë më të mëdha të Lindjes së Mesme që po ndërton një port turistik. Kështu që nuk ka asnjë shans ta minojmë turizmin, ai është kali ynë i betejës”, ka thënë Rama.