Rama në Forumin e Bled-it: Shqipëria është ndjekëse besnike e Bashkimit Evropian

Në Forumin Strategjik të Bled-it që po zhvillohet në Slloveni, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar sërish përkushtimin e vendit në procesin e integrimit evropian, duke e cilësuar Shqipërinë si një “ndjekëse besnike” të BE-së.
“Kur vjen puna ta ndjekim Evropën, ne jemi ndjekës besnikë. Nuk jemi lëkundur dhe as kemi vënë në dyshim këtë rrugë, sepse kur bëhet fjalë për besnikëri, ne jemi të verbër”, deklaroi Rama gjatë fjalës së tij në panel.
Ai shtoi se, ndryshe nga shtetet anëtare të BE-së, Shqipëria nuk ka shumë për të humbur kur kritikon Brukselin, por megjithatë mbetet e palëkundur në përkushtimin ndaj integrimit.
“Kemi një ide të qartë për madhësinë, peshën dhe sfidat tona si evropianë. Duam të jemi të lirë dhe të shprehemi lirisht, por kur vjen puna për ta ndjekur Evropën, ne mbetemi ndjekës besnikë”, tha kryeministri.
Gjatë fjalës së tij, Rama foli edhe për rolin e shtetit në ekonomi, duke nënvizuar se në Ballkan, ndryshe nga SHBA-ja apo disa vende të BE-së, mungon tradita e një “shteti sipërmarrës”.
“Në thelb, ne kërkojmë më shumë para nga buxheti”, u shpreh Rama./Indeksonline/