75 Mall Live Search
17:15 / E Hënë, 22 Qershor 2026 / F.R

Rama në Paris: Çka u diskutua në takimin me Macronin që zgjati mbi dy orë?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Paris, ku u prit në Pallatin Élysée në një drekë pune nga Presidenti francez, Emmanuel Macron.

Takimi zgjati mbi dy orë dhe u zhvillua me ftesë të presidentit francez, raporton Top Channel.

Vizita u zhvillua në kuadër të dialogut politik të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe Francës, me synim forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve. Gjatë bisedimeve u diskutua edhe qasja e re ndaj procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, ku Shqipëria synon avancimin e mëtejshëm të reformave dhe integrimit.

Takimi vjen si vazhdimësi e kontakteve të rregullta mes dy liderëve, të cilët janë takuar zyrtarisht në Paris në prill të vitit 2024, si dhe në Tiranë në tetor 2023 dhe maj 2025. Përveç takimeve bilaterale, Rama dhe Macron kanë pasur edhe komunikime në kuadër të samiteve dhe forumeve ndërkombëtare, shkruan TCh.

Në fokus të bisedimeve ishte gjithashtu edhe mbështetja e Francës për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, si dhe roli i saj në nxitjen e një qasjeje të re ndaj procesit të zgjerimit të BE-së.

Palët vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit të deritanishëm dhe shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe për forcimin e koordinimit në çështje me interes të përbashkët në arenën ndërkombëtare.