Rama: Nëse qeveria nuk e përfshinë buxhetin e kryeqytetit, është vendim politik
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se nëse qeveria nuk e përfshin buxhetin e kryeqytetit në buxhetin e 2026-s, atëherë ky sipas tij është vendim politik.
Ai ka shtruar disa pyetje, por ka nënvizuar se Prishtina nuk është pronë e askujt është kryeqyteti i republikës dhe meriton trajtim institucional, jo kalkulime partiake.
Postimi i plotë:
Nëse qeveria nuk e përfshin buxhetin e kryeqytetit në buxhetin e vitit 2026, kjo nuk është thjesht vonesë administrative, është vendim politik!
Buxheti i kryeqytetit është miratuar në asamblenë e kryeqytetit, me të gjitha specifikat teknike dhe ligjore, dhe është dorëzuar sipas procedurave. Çdo justifikim për mospërfshirje bie poshtë kur dokumentacioni është i plotë dhe në përputhje me ligjin.
Prandaj shtrohet pyetja:
Pse nuk po përfshihet në buxhetin e vitit 2026?
A është kjo hakmarrje politike?
A është tentativë për ta bllokuar zhvillimin e kryeqytetit?
A po përdoret buxheti si mjet presioni ndaj qytetarëve të Prishtinës?
Qeveria ka obligim kushtetues dhe ligjor të trajtojë buxhetin e kryeqytetit pa diskriminim politik. Çdo veprim ndryshe është shkelje e parimit të barazisë institucionale dhe goditje direkte ndaj qytetarëve.
Prishtina nuk është pronë e askujt. Është kryeqyteti i republikës dhe meriton trajtim institucional, jo kalkulime partiake.
Nëse qeveria zgjedh ta mbajë peng buxhetin e 2026-s, atëherë le ta thotë hapur: Po ju ndëshkojmë qytetarët sepse nuk na votuat neve!!!!
Qytetarët e Prishtinës meritojnë përgjigje!

