Rama: Nëse s’hapen negociatat brenda 6-mujorit të Presidencës franceze, do të kërkojmë ndarjen nga Maqedonia e Veriut

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nëse Këshilli Evropian nuk hap negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut brenda 6-mujorit të Presidencës franceze, Tirana zyrtare do të ndryshojë kursin dhe do të kërkojë haptazi ndarjen e procesit të aderimit nga Maqedonia e Veriut.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me komisionarin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, Rama tha se patën një diskutim të gjerë dhe shumë të hapur mbi procesin e integrimit.
“Ne jemi në një kurs që e ka përcaktuar pozicionin tonë si një pozicion konstruktiv dhe si një pozicion të lidhur me pozicionin e Maqedonisë së Veriut dhe natyrisht në konformitet me pozicionin e Komisionit dhe me pozicionin e Këshillit për mos ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Ky është pozicioni ynë aktual”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha se ka informuar Varhelyi se nëse pas 6-mujorit të kryesimit të Presidencës franceze me BE-në, gjendja mbetet e pandryshuar, atëherë Shqipëria të ndryshojë kursin dhe të kërkojë haptazi ndarjen e procesit të aderimit nga Maqedonia e Veriut.
“Por kjo mbetet për t’u aktivizuar si qasje pas kësaj mbledhje të Këshillit Evropian. Dhe deri në këtë takim të Këshillit Evropian ne jemi absolutisht në pozicionin që të dyja vendet duhet të hapin negociatat”, u shpreh Rama./ATSH