75 Mall Live Search
19:44 / E Martë, 28 Tetor 2025 / F.R

Rama nga Riadi: Shqetësuese që flitet vetëm për armë!

Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të martë, 28 tetor, në Edicionin e 9-të të Future Investment Initiative, në Riad të Arabisë Saudite.

Bëhet fjalë për një prej forumeve më të rëndësishme globale për inovacionin, teknologjinë dhe investimet e qëndrueshme, që mbledh liderë botërorë e sipërmarrës për të diskutuar mbi të ardhmen e ekonomisë globale.

“Imagjinata ushqehet nga novacioni, nga nevoja për të shkuar më lart, për të bërë kapërcime më të mëdha. Imagjinata lidhet edhe me bukurinë. Dje e ndjeva menjëherë se ka një energji ndryshe në këtë vend, vetëm duke parë skulpturat e gjelbra në të dyja anët e rrugëve”, deklaroi kreu i qeverisë në nisje të fjalës së tij në këtë samit, si pjesë e panelit “A po shkon njerëzimi në drejtimin e duhur?”.

Tutje ai ka thënë se plani i parë i Evropës duhet të jetë paqja, pasi sipas tij është shqetësuese diskutimi vetëm për armë.

“Çfarë duhet të bëjë Europa për t’u kthyer në drejtimin e duhur, më jep 3 vendime po të ishit për një moment perandori?“, kësaj pyetjeje, kryeministri iu përgjigj duke theksuar se kontinenti ynë duhet të ketë në fokus një plan paqeje dhe jo krejt të kundërtën.

“Sinqerisht, besoj se ka diçka thelbësisht të gabuar në faktin që ka një nxitim të përditshëm për t’u riarmatosur, për të menduar, folur e për të punuar mbi armët, ndërkohë që nuk ka një plan paqeje që do të mund ta lexoje e të mendoje mbi të. Një Europë që nuk ka planin e saj të paqes, e cila për vite me radhë e vuri veten në autopilotin e Shteteve të Bashkuara, dhe kur atje gjërat ndryshuan dramatikisht, nisi të rizbulonte fjalën armëpushim, që ishte hequr nga fjalori i të gjithëve. E megjithatë ka ngecur në një pozicion që përqendrohet vetëm te armatimi, të ngecësh në këtë pozicion është shqetësuese.

E di si fakt që jam udhëheqësi më i gjatë, por mbaj parasysh se përfaqësoj një vend të vogël dhe nuk më takon mua të jap leksione, por si një europian ndihem i trazuar, që fjala bërthamore është shndërruar në diçka normale në fjalor, teksa disa vjet më parë nuk përdorej nga askush. Kërcënimi përmes medias socale i forcave të mëdha përsëritur me raketat bërthamore në kurriz është çmenduri.

Kur sheh gjithë këtë e kupton, ka një fjalë që thonë italianët, një dush modestie, që do të thotë Europa duhet të marrë një dush përulësie dhe të reflektojë e të rinisë duke mos e marrë legjitimitetin e vet moral të mirëqenë e si diçka që i jep arsyet që mund të mos jetë i duhuri. Këtë mund të them, se çfarë duhet të bëjë ose jo, kjo nuk ka lidhje me mua ose me Shqipërinë”, deklaroi Rama. /tvklan