75 Mall Live Search
13:51 / E Hënë, 16 Shkurt 2026 / Z S

Rama: Osmani u kërcënua dy vjet nga Prokuroria në Hagë pasi s’i la prokurorët ta kontrollonin zyrën e presidentit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot në Prishtinë tha se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është “kërcënuar” për dy vjet nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, pasi nuk lejoi që prokurorët të kërkonin për “prova” edhe në zyrën e presidentit në Prishtinë.

Rama tha se Osmani nuk lejoi prokurorët që ta “dhunonin” zyrën e institucionit që udhëheqë, raporton Klan Kosova.

 “Tani, mund të jetë sekret shtetëror këtu në Kosovë, por nuk është sekret shtetëror edhe për mua që presidentja e Kosovës është kërcënuar. Dhe këtë gjë nuk e dini sepse nuk është thënë asnjëherë, por po e them sot.

Është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të presidentit të Kosovës, se me demek do të kërkonin edhe aty provat e krimeve kundër njerëzimit, gjë që natyrisht do ta vendoste Kosovën në sytë e botës si një shtet ku deri në zyrën e presidentit gjenden prova për krime kundër njerëzimit.

Dhe kërcënimi i presidentes ka zgjatur dy vjet. Por, për nderin e saj dhe nderin e Kosovës, ajo e ka ndaluar një gjë të tillë”, tha Rama në ceremoninë e promovimit të librit “Kur heshtja flet” të ish-ambasadorit Ahmet Shala.