17:31 / E Diele, 08 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Rama para investitorëve turq: Kurani i lavdishëm na mëson se asnjë gjethe nuk e prek tokën pa lejen e Zotit

Rama doli para investitorëve turq me një kërkesë të drejtpërdrejtë. “Qëndroj para jush për të kërkuar ndihmë. Cila është fytyra më e bukur në islam, sipas profetit të zotit “paqja qoftë mbi të”, të ndihmosh ata që njeh dhe ata që nuk njeh”.

Kjo nuk ishte e vetmja herë që Rama iu referua Islamit, ndërsa ishte duke mbajtur fjalën në konferencës ndërkombëtare për investimet publike e private të organizuar me ftesë të Erdogan.

“Kurani i lavdishëm na mëson se asnjë gjethe nuk e prek tokën pa lejen e Zotit. Kurani i madhërishëm na mëson se katastrofat janë sprova për njerëzimin që të pastrohet nga mëkatet e të pendohet”, u shpreh Rama.

Në mbi 10 mbledhje të zhvilluara në Kryeministri, Rama nuk ka përmendur një të dhënë paraprake mbi dëmet dhe koston për rindërtim. Por para donatëroëve turq ai thotë se të dhënat janë tronditëse dhe tregon se në cilën periudhë janë bërë ndërtessat që shkatërroi tërmeti.

“Të dhënat janë tronditëse dhe shumica e ndërtesave të shkatërruara ishin të dobëta, të ndërtuara nga periudha komuniste apo kur s’ka patur kontroll”.

Rindërtimi për Ramën do të marrë një kohë të gjatë, që ai shtoi se është e papërballueshme. Një fjalë ia adresoi edhe ndërkombëtarëve.

“Pa kontribute nga jashtë plaga do jetë shumë e gjatë. Koha me dimrin që kemi përpara dhe politika ndërkombëtare shpërqendruese s’është komoditet për ne”.

Përveç donacioneve që mund të mblidhen nga biznesmenët, Presidenti i Turqisë, Erdogan ka premtuar ndërtimin e 500 banesave për personat që kanë ngelur pa strehë pas tërmetit në Shqipëri.