75 Mall Live Search
11:53 / E Martë, 07 Tetor 2025 / H F

Rama paralajmëron veprime “me forcë të hekurt ligjore” kundër çmimeve të larta në bregdet: Beach-baret do të reduktohen në maksimum

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur për veprime “me forcë të hekurt ligjore, deri në fund” kundër “zaptuesve të hapësirave publike” në mandatin e ri qeverisës.

Në episodin e fundit të podcastit të tij “Flasim”, ai paralajmëroi se “beach-baret në bregdet do të reduktohen në maksimum”, e se do të massin masa kundër keqmenaxhimit privat të plazheve dhe çmimeve të larta.

“Në Ksamil, Himarë, Dhërmi dhe Velipojë, ku janë vërejtur problematikat më të mprehta, në aspektin e keqmenaxhimit privat të plazheve, me çmime të pajustifikueshme fare në raport me cilësinë e dobët të shërbimit, bashkitë do të marrin nën menaxhim plazhet. Beach-baret do të reduktohen në maksimum dhe muzika jashtë mureve të lokalit në zonat e banuara do të ndalohet”, tha ai.

Për plazhin e Durrësit, Rama tha se “ka hyrë tanimë në një transformim rrënjësor, me zgjerimin e ndjeshëm të brezit të rërës dhe me një brez të ri gjelbërimi”.

“Do të bëjmë çmos që çka kemi në plan së bashku me kryetaren e Bashkisë, ta realizojmë të paktën në një masë aq të madhe sa të jetë e dukshme, deri në sezonin e ardhshëm”, tha ai.

“Do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur për një turizëm që sjell cilësi, që respekton qytetarët dhe që e bën Shqipërinë një destinacion europian të dëshiruar jo thjesht për bukuritë e natyrës, por dhe për shërbimin e mirë”, tha Rama.