Rama pjesëmarrës në Samitin e NATO-s, diskutohen sfidat e mbrojtjes dhe sigurisë globale

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po merr pjesë në Samitin e nivelit të lartë të NATO-s, që po zhvillohet më 24 dhe 25 qershor në Hagë, Holandë.
Samiti ka për fokus diskutimet mbi çështjet e mbrojtjes kolektive, rritjen e shpenzimeve të përbashkëta, si dhe sfidat e sigurisë globale dhe rajonale.
Gjatë samitit, Rama do të zhvillojë një takim dypalësh me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Takimi pritet të përfshijë edhe zyrtarë të lartë shqiptarë si ministri Igli Hasani, ministri Pirro Vëngu, Vlora Hyseni dhe Arben Kingji. Siguria në Ballkan do të jetë një nga temat kryesore të diskutimit.
Në mbrëmje, Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, do të marrin pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga Mbreti Willem-Alexander dhe Mbretëresha Máxima, ku do të jenë të pranishëm liderë botërorë, përfshirë Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Për mbarëvajtjen e samitit janë angazhuar mbi 10 mijë forca sigurie, që përfshijnë mbështetje tokësore, detare dhe ajrore. Të martën pritet të diskutohet dhe miratohet një qasje e re për mbrojtjen e Aleancës, në një kontekst të krizave të vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe luftës në Ukrainë./Indeksonline/