75 Mall Live Search
11:56 / E Diele, 08 Shkurt 2026 / b l

Rama reagon pasi Kushtetuesja la në fuqi pezullimin e Ballukut: Rimarrje peng e Qeverisë, shembull i budallëllëkut

Në një seancë maratonë të premten, 8 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese arritën të merrnin një vendim për ankimimin e Edi Ramës për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra, pasi votat u ndanë 4 pro dhe 4 kundër, si rrjedhojë duke bërë që të mbetet në fuqi vendimi i GJKKO.

Për këtë gjë, Kryeministri Rama ka reaguar në podcastin “Flasim”, duke thënë se Gjykata Kushtetuese nuk gjeti dot forcën për të mos lejuar rimarrjen peng të qeverisë shqiptare.

“Shënimi i fundit i ditës, por jo për nga rëndësia, është ai që lidhet me Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë me një mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike, siç është pezullimi i një anëtari qeverie nga një prokuror dhe një gjykatës  në një seancë paraprake, pra pa filluar akoma gjyqi.Kështu, Shqipëria bëhet për herë të dytë, në dy muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror sepse Gjykata Kushtetuese u mbyt me lugën e ujit të turbullt të tyre që Servantes në librin e tij të famshëm Don Kishoti i Mançës i quan arsyet e Mosarsyes.Por fakti është që mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e kthen në fuqi pezullimin e ministres, e cila, që të jemi shumë të qartë, pavarësisht se qartësia është një luks dhe një luks i rrallë që mund ta kërkosh, por vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve politike e mediatike, nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që shpiku pezullimin e anëtarit të qeverisë me vendim të një seance të mbyllur të përgatitjes së një gjyqi.Sidoqoftë, zhbërja e kësaj shpikjeje 100% “Made in Albania” e drejtësisë së re dhe e drejtësisë ende të papjekur shqiptare, e cila nuk ka lidhje me rastin dhe çështjen konkrete po me një parim të panegociueshëm të demokracisë mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive  të parlamentit nga pushteti gjyqësor.