23:04 / E Premte, 02 Qershor 2023 / MSH

Rama: ShBA dhe BE kanë të drejt, Kurti jo

Kryeministri Edi Rama dha një intervistë për BBC ku foli për tensionet në Veri.

Ai doli krah BE-së dhe ShBA-së duke kundërshtuar kështu qasjen e Albin Kurtit në këtë situatë, shkruan euronews.

Rama theksoi se partnerët ndërkombëtar nuk duan të kënaqin Serbinë por duan që të Kosova të ngrihet në një nivel tjetër si shtet, ku të njihet nga të gjithë pas marrëveshjes finale.

“Ka një situatë shqetësuese në veri të Kosovës, por nuk do ta theksoj shumë në aspektin e rrezikut. Do them vetëm që kjo situatë është provokuar fillimisht nga braktisja e institucioneve nga serbët, që krijoi vakuum. Dhe së dyti nga këmbëngulja e autoriteteve të Kosovës për t’i futur në zyra boshe këta kryetarë, ku shumica e popullsisë është serbe. Ishte mirë që u mbajtën zgjedhje dhe që u tregua që askush nuk mund t’i mbajë peng proceset demokratike në një vend të pavarur, por nuk ishte ide e mirë që të këmbëngulej hyrja e këtyre kryetarëve në komuna boshe me ndihmën e policisë dhe me ndërhyrjen e KFOR dhe lëndimin e ushtarëve.

Më vjen keq ta them por mendoj njësoj dhe ky nuk është pozicion servili, por jam i bindur se ShBA dhe BE kanë të drejtë dhe Albini është tërësisht i gabuar sepse ata nuk po përpiqen të kënaqin Serbinë, por ta çojnë Kosovën në tjetër nivel, që do të thotë një shtet që njihet nga të gjithë, që mund të ulet në OKB dhe çdo institucion tjetër” deklaroi mes të tjerash Rama.