75 Mall Live Search
09:09 / E Premte, 09 Janar 2026 / Z S

Rama shpjegon arsyet e përmbytjeve: Ndryshimi i klimës realitet, po hodhëm plehrat në rrugë pasojat rëndohen edhe më shumë

Kryeministri Edi Rama tha se ndryshimet klimatike në mbarë globin, por edhe veprimet e njerëzve, kanë sjellë pasojat që janë parë nga përmbytjet e ditëve të fundit.

Në fjalën e tij në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Rama bëri edhe një bilanc të punës së kryer deri tani.

“Ndryshimet klimatike nuk do të thotë vetëm vera më të nxehta, por stinë më të çrregullta, më shumë thatësira e më shumë zjarre, më shumë vorbulla atmosferike e më shumë përmbytje, është tashmë kuadrati i klimës ku jetojmë”, u shpreh kryeministri, përcjell A2 CNN.

“Por patjetër që kur vazhdojmë të hedhim plehrat rrugëve dhe presim pyjet, pasojat rëndohen edhe më shumë”.

Rama tha se deri tani janë konstatuar 1587 banesa me prani uji, ndërsa janë evakuuar 381 persona. “Prani uji në mbi 13 mijë hektarë tokë bujqësore. Janë përmbytur edhe qendra shëndetësore dhe shkolla”, shtoi ai.

Kryeministri gjithashtu tha se reshjet që kanë rënë deri tani, janë më shumë sesa sasia mesatare e reshjeve që bien gjatë gjithë muajit. “Një fenomen ky, si rezultat i ndryshimit të klimës, po bëhet gjithnjë e më pak i papritur në mbarë botën”.

Ai hodhi poshtë akuzat se hidrovoret në të gjithë vendin nuk kanë funksionuar, ndërsa tha se shkarkimet në hidrocentrale kanë qenë të kontrolluara. “Është shmangur përmbytja masive e zonës së Nënshkodrës, si në kohërat kur qeverisnin aleatët e shiut”, u shpreh ai./Indeksonline/