Rama Sveçles: Si do ja bëjmë për kalimin kufitar në korrik dhe gusht?

Në Prishtinë është duke u mbajtur takimi i tetë mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Gjatë takimit, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se bashkë me homologun e tij, Bledi Çuçi, kanë punuar një marrëveshje që lehtëson kalimin kufitar dhe shmang pritjet e gjat në pikat kufitare Vërmicë-Merdare.
“Policia e Kosovës dhe Policia e Shqipërisë gëzojnë një bashkëpunim të shkëlqyer qoftë në luftimin e ilegaliteteve që cenojnë sigurinë e vendeve tona, qoftë në ofrimin e sigurisë dhe në ruajtjen e jetës së qytetarëve tanë. Në kuadër të kësaj sot do të nënshkruajmë zyrtarisht marrëveshjen e cila do të krijojë lehtësira të kalimit kufitar, në pikën e cila ka kalimin më të madh të qytetarëve të dy vendeve, Vermicë-Merdare. Kjo marrëveshje do të rregullojë dhe zvogëlojë procedurat e pritjeve dhe do të bashkërendojë punën e policisë sonë kufitare. Deri në fund të shtatorit do të ketë kalim të lehtësuar të kufirit, ndërsa marrëveshja do të përcaktojë procedura të tilla lehtësuese që do të jenë për çdo javë dhe çdo festë zyrtare të vendeve tona” tha ministri Sveçla.
Reagim të menjëhershëm pati kryeminstri shqiptar, Edi Rama, i cili pyeti ministrin Sveçla se çka konkretisht do të bëhet për të evituar pritjen, sidomos gjatë korrikut dhe gushtit.
“Kjo fjalia “Do të kemi disa lehtësira” më fut ankthin. Mund ta di nga ju se si do të kalohet kufiri në korrik dhe gusht? Çka janë këto “disa lehtësira”. A mund të kemi ndalime të rastësishme për çdo 500 makina, a mund të ndodhë kjo?” pyeti kryeministri Rama.
“Realisht atë e mundëson protokolli” ishte përgjigja e ministrit Sveçla mbi marrëveshjen e cila do të nënshkruhet më vonë gjatë ditës./Indeksonline/