Rama tregon se çfarë duhet të bëjë Kosova në raport me Serbinë, flet edhe për marrëdhënien me Kurtin
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për Deutsche Welle, ka deklaruar se Kosova duhet ta harrojë përfundimisht Serbinë, por të përmbushë obligimet e saj në kuadër të dialogut në mënyrë të njëanshme.
Sipas Ramës, Kosova duhet të veprojë në mënyrë të tillë që “t’ia lërë topin në derë Serbisë”, duke treguar seriozitet dhe përgjegjësi ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
“Kosova duhet t’i përmbushë të gjitha obligimet e veta dhe më pas t’i kërkojë Evropës e shteteve që e njohin të shohin se kush është Kosova dhe kush është Serbia që refuzon nënshkrimin e marrëveshjeve”, është shprehur Rama.
Ai shtoi se Kosova duhet të shkëputet përfundimisht nga Serbia, jo përmes izolimit, por duke përmbushur çdo detyrim të saj.
“Sipas meje, Kosova duhet ta harrojë krejt Serbinë, në kuptimin që të përmbushë në mënyrë të njëanshme obligimet e dialogut dhe t’ia lërë topin në derë Serbisë. Pastaj le ta gjykojë Evropa se kush jemi ne – të përmbushurit, firmosësit, e kush është pala që nuk nënshkruan,” tha Rama.
Ndërkohë, i pyetur për marrëdhëniet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Rama tha se kanë raport të mirë personal, por pranoi se ekzistojnë dallime në qëndrime dhe në mënyrën e qasjes ndaj çështjeve politike.

