75 Mall Live Search
12:15 / E Martë, 29 Qershor 2021 / AR

Rama, Zaev dhe Vuçiq flasin për “Mini-Shengenin”, më 29 korrik takohen në Shkup

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë diskutuar për “Mini-Shengenin” përmes një video konference.

Ata diskutuan hapat e mëtejshëm në bashkëpunimin rajonal, si një proces jetësor për progresin e Ballkanit Perëndimor dhe rrugën evropiane, raporton Tanjug.

Bashkëbiseduesit ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por gjithashtu që BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq, pasi rajoni është i rrethuar nga kufijtë e BE-së, dhe vendet që aspirojnë anëtarësimin ndajnë vlerat e përbashkëta evropiane.

Presidenti i Serbisë dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë shprehur dëshirën që katër liritë evropiane – lëvizja e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, të fillojnë të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur në të gjithë rajonin dhe në atë kontekst do të sigurojnë mbështetje e plotë për tregun rajonal të përbashkët në samitin e Procesit të Berlinit.

Poashtu Vuçiq, Rama dhe Zaev ranë dakord të takohen në Shkup në 29 korrik për të shqyrtuar përparimin në zbatimin e iniciativave dhe projekteve ekzistuese dhe për të nënshkruar marrëveshje shtesë midis tre vendeve për zbatimin e angazhimeve në kuadër të Procesit të Berlinit, si dhe bashkëpunimin dhe ndihmën në rast fatkeqësish natyrore dhe lehtësira për tregti, eksporte dhe importe