Ramadani: Çdo pikë që lëshojmë mund të na penalizojë

Prishtina dhe Gjilani barazuan pa gola në ndeshjen e javës së 26-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Trajneri i skuadrës nga kryeqyteti, Zekirija Ramadani ka thënë pas ndeshjes se çdo pikë e lëshuar do ta penalizojë në renditjen përfundimtare.
“Nuk duhet të ja lëmë fajin pushimit, duhet ta shohim fajin tek vetja, unë mendoj që na mungoj agresiviteti, dëshira nuk ishte si duhet. Gjilani e bëri punën e saj, nuk na lejoi që ta luajmë lojën tonë. Në fund patëm edhe një penallti që nuk u realizua. Ishte një derbi i vërtetë, me pak raste por që pati shumë luftë. Më vjen keq për rezultatin, futbollistët dhanë maksimumin, por maksimumi i sotëm ishte më i ulët se në ndeshjet tjera“, ka thënë Ramadani pas ndeshjes.
Distanca me Ballkanin dhe Dritën? “Çdo pikë që lëshojmë mund të llogaritet si dështim përveç fitores. Ne duhet t’i fitojmë ndeshjet tona dhe të presim gabimet e dy kundërshtarëve. Sidoqoftë ka edhe shumë ndeshje dhe duhet të japim maksimumin. Para disa jave kemi qenë deri në 12 pikë mbrapa por kemi arrit të afrohemi në katër pikë, kishim mundësi që të afrohemi në dy pikë. Shpresojmë që në fund të arrijmë objektivin”, tha në fund trajneri nga Shkupi.
Prishtina është në vendin e tretë me 51 pikë, katër më pak se Ballkani dhe Gjilani. /IndeksOnline/