Ramadani: Do të ketë prurje të reja te Prishtina

Prishtina ka filluar që disa ditë përgatitjet për pjesëmarrje në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve.
Kampionia e re kosovare, do të debutojë në garën më interesante të futbollit në Evropë.
Trajneri Zekirija Ramadani thotë se ekipi po punon që të rikthejë formën e sezonit të kaluar.
“Kemi edhe 16 ditë kohë për të punuar. Ende jemi gati por po punojmë shumë që të rikthejmë formën e edicionit të kaluar” Besoj që do ta shfrytëzojmë në maksimum këtë periudhë që të përgatitemi” deklaroi Ramadani për Indeksonline.
Ai konfirmoi se Prishtina do të jetë aktive në afatin kalimtar të transferimeve.
“Besoj që do të ketë transferime të reja dhe drejtori sportiv është duke punuar. Nuk mund të themë se në cilat pozicione kemi nevojë për përforcime. Do të mundohemi që sa më shpejtë të mbyllim marrëveshjet. Sa i përket largimeve, i kemi liruar futbollistët që u ka skaduar kontrata dhe emrat janë të njohur” deklaroi Ramadani për Indeksonline.