Ramadani pas humbjes ndaj Celje: Nuk dorëzohemi sepse jemi kampionë
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka theksuar se ekipi i tij nuk dorëzohet, edhe pas humbjes 3-2 ndaj Celjes në ndeshjen e parë të play-offit të Ligës së Konferencës në Prishtinë.
Ramadani u shpreh pas takimit:
“Mos të harrojmë që Drita është kampione aktuale dhe kampionia nuk dorëzohet asnjëherë. Karakteri i lojtarëve është shumë i fortë. Në pjesën e dytë shfaqëm guxim dhe arritëm të barazonim rezultatin, gjë që tregon se besojmë deri në fund.”
Trajneri shtoi se bashkë me ndihmësit e tij diskutuan strategjinë për pjesën e dytë të ndeshjes dhe kërkoi nga lojtarët të jenë më të guximshëm dhe të marrin rreziqe për të kërkuar rezultatin në ndeshjen e kthimit.
“Derisa besuam nga 0-2 dhe loja përfundoi 2-3, kjo tregon se kemi besim. Në disa gjysmë raste ishim agresivë dhe shpresojmë që fatin ta kemi në ndeshjen kthyese. Besoj se ekipi do të jetë edhe më i rrezikshëm,” deklaroi Ramadani.
Trajneri theksoi se Drita do të luftojë deri në fund për të arritur kualifikimin në fazën tjetër të Ligës së Konferencës.

