Ramadani para ndeshjes me Kups: Respekti mbaron kur fillon ndeshja, pastaj duam ta mposhtim, shkelim dhe fitojmë

Drita e cila nisi një kapitull të ri historik në garat evropiane, nesër debuton në fazën e ligës së Conference League.
Kampioni i Kosovës, do të luaj në udhëtim ndaj skuadrës finlandeze, Kups, ndeshje e cila nis nga ora 18:45, shkruan IndeksOnline.
Trajneri i Dritës, Zekrija Ramadani në konferencë për media para ndeshjes me Kups, ka thënë se kanë respekt për skuadrën kundërshtare, por respekti mbaron në momentin që nis ndeshja, e pastaj duan vetëm fitore.
”E di që kjo është një arritje historike për skuadrën tonë, por e di se mundemi, duhet dhe e kemi obligim moral e profesional që mos të jemi të kënaqur, por të kërkojmë suksese tjera. Hapi i parë për të arritur suksese tjera është që ta nisim me fitore.
Do të jetë ndeshje e vështirë, pasi të dy ekipet jemi debutues dhe të dy ekipet e duam fitoren. Duhet të jemi të kujdesshëm, të mbrohemi mirë dhe të sulmojmë me më pak lojtarë, pasi e rëndësishme është të mos pranojmë gol. Në Superligë kemi pranuar gola dhe kjo na ka shqetësuar. Sot futbolli nuk është sport që fiton gjithmonë më i miri, është edhe fati në pyetje. Kemi respekt për çdo kundërshtar derisa fillon ndeshja, pastaj kur fillon, nuk kemi aspak respekt, duam ta mposhtim, shkelim dhe fitojmë.”, ka deklaruar Ramadani./IndeksOnline/