Ramadani pas fitores me Shkëndijan: Kam besim se mund ta përfundojmë grupin pa humbje
Drita vazhdoi formën e shkëlqyer në Evropë duke regjistruar një fitore të rëndësishme me rezultat 1-0 ndaj Shkëndijës së Tetovës, në një takim historik ku për herë të parë u përballën dy ekipe shqiptare në fazën e grupeve të një gare evropiane.
Pas ndeshjes, trajneri Zekirija Ramadani u shfaq i kënaqur me paraqitjen dhe rezultatin, duke theksuar rëndësinë e këtij triumfi si në aspektin sportiv, ashtu edhe emocional.
“Ishte një ndeshje e veçantë me shumë emocion dhe presion, pasi për herë të parë takohen dy ekipe shqiptare në grupe. I uroj futbollistëve fitoren. Ishte luftë sportive nga të dyja ekipet,” tha ai, duke theksuar se megjithëse loja nuk ofroi spektakël brenda fushe, atmosfera në tribuna ishte e jashtëzakonshme falë dy tifozërive që krijuan një festë të vërtetë.
Tekniku shkupjan shprehu respekt të veçantë për kundërshtarin, duke vlerësuar punën dhe ndikimin e Shkëndijës në futbollin e Maqedonisë së Veriut.
“Respekt për ekipin e Shkëndijës, ka bërë revolucion në Maqedoninë e Veriut. Ne ku punojmë mundohemi ta bëjmë maksimumin. Kam dëshirë që Shkëndija të fitojë, do të jemi tifozë të tyre dhe do të ishte kënaqësi që të ishim dy skuadrat tutje”, u shpreh ai.
Ramadani potencoi se Drita po rritet nga ndeshja në ndeshje dhe se mbrojtja është bërë arma kryesore e ekipit në Evropë.
“Ne duhet të luajmë për të shënuar gol, dhe nëse shënojmë mund të arrijmë pikët e plota. Më gëzon që nuk kemi pësuar gol në ndeshjet e fundit në Evropë. Kam besim se mund ta përfundojmë grupin pa humbje”.
Fitorja ndaj Shkëndijës jo vetëm që e forcon pozitën e Dritës në grup, por gjithashtu rrit optimizmin për kualifikim, ndërsa ekipi tashmë e ka vëmendjen te ndeshjet e radhës si në Evropë ashtu edhe në Superligë.

