15:28 / E Martë, 05 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Ramadani: “Titulli mund të vendoset në xhiron e fundit ose të parafundit”

Prishtina dhe Feronikeli pritet të thonë fjalën e fundit për titullin e kampionit në Superligë. Derisa Feronikeli nuk e ka fituar titullin që nga viti 2016, Prishtina nuk ka triumfuar nga viti 2013.

Dallimi mes tyre në prag të fillimit të edicionit pranveror është vetëm 1 pikë.

Trajneri shkupjan Zekirija Ramadani 2 vite më parë u shpallë kampion me Trepçën ’89. Ai kërkon të njejtin sukses me Feronikelin. Sa i përket luftës me Prishtinën për titullin e kampionit ai u shpreh:  

“Nuk mund të parashikohet a do të mbetet për javën e fundit që të vendoset titulli por lufta do të jetë e madhe. Prishtina ka ekip cilësor por mos të harrojmë edhe Llapin i cili ka bërë rezultate pozitive në ndeshjet kontrolluese dhe mendoj që diferenca do të jetë e ngushtë mes nesh. Kampioni mund të vendoset në xhiron e fundit ose parafundit” deklaroi Ramadani.

Gjatë afatit kalimtar të janarit, Feronikeli u përforcua me 4 lojtarë, Hamed Kone, Met Millaku, Riza Zhdrella dhe Adenis Shala.

Trajneri Zekirija Ramadani në një intervistë për Indeksonline ka vlerësuar kështu blerjet e reja.

“Me të vërtetë në ndeshjet kontrolluese dhe në stërvitje kanë dhënë sinjale pozitive të gjitha prurjet e reja. Por testi kryesor fillon të shtunën. Shpresoj që do të kenë paraqitje të mira për Digitalb Kupë dhe në Ipko Superligë” theksoi Ramadani.

Ndeshjen e parë Feronikeli do ta luaj si mysafir te Ferizaj në kuadër të Digitalb Kupës së Kosovës. /Indeksonline/