75 Mall Live Search
09:57 / E Hënë, 08 Qershor 2020 / indeksADMonline

Ramadani: Virusi pa intensitet, por rikthimi shkakton viktima të pafajshme për shkak të pakujdesit qytetar

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj,  drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe përfaqësuesit e Inspektoratit… kanë vizituar sot pikën kufitare në Vërmicë.

Me këtë rast, Ramadani deklaroi se lehtësimi i masave dhe kalimi i kufirit në mënyrë të lirë do të mbikëqyret në vazhdimësi.

Ai gjithashtu tha se kalimi i lirë i kufijve nuk do të thotë rrezikim i shëndetit të qytetarëve të Kosovës, apo të Shqipërisë.

“Kalimi dhe lehtësimi i masave nënkupton lëvizjen e lirë duke u mbrojtur dhe rekomanduar të gjitha masat që janë më lehtësuese, por duke mos harruar mbajtjen e distancës, higjienën dhe bartjen e maskave. Nëse IKSHPK e sheh se s’po përfillen këto rekomandime do të ndërmerren masa më rigoroze, ndoshta deri në përkufizime të ndryshme të lëvizjes, apo qarkullimit. Kjo është për hir të mbrojtjes së shëndetit, e vetmja mundësi e ruajtjes së shëndetit në tre muajt e fundit ka qenë përkufizimi i lëvizjes që të mos përhapet virusi i cili s’ka këmbë, por ne mund t’i japim këmbë”, tha ai, shkruan Indeksonline.

Ramadani deklaroi se mendon që janë marrë informacione të mjaftueshme se si të ruhet shëndeti.

“Por nëse e shohim se s’janë vetëdijesuar dhe kërcënojnë gjendjen siç është tani rritja e rasteve, ne duhet t’i rikthejmë masat dhe t’i rikthejmë në shkollë të vetëdijesimit për rekomandimet. Nëse i zbatojnë këto masa do të jenë të lirë, por duhet respektuar ato dhe mbajtur maska sepse virusi është ende këtu.Virusi se ka intensitetin e njëjtë, por nëse e merr një qytetar i ka të njëjtat pasoja në shëndet sikurse në fillim”, shtoi ai.

Numri një i IKSHPK-së, tha po ashtu se gjithçka është e mundur nëse mbahet distanca, lahen duart dhe nëse vihen maskat, pra ka mundësi që virusi të largohet.

“Pa këto do të na rikthejë gjendjen, por jo vetëm rikthimi por se ky rikthim shkakton viktima të pafajshme për shkak të pakujdesit qytetar”, përfundoi ai./Indeksonline/