13:54 / E Hënë, 19 Shtator 2022 / MSH

Ramë Buja zbulon arsyet e dorëheqjes nga PDK

Ramë Buja ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit dhe anëtarit të kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës.

Dorëheqja e tij vjen pas tri vitesh rikthim në PDK.

Buja i ka dërguar një letër partisë, ku ndër të tjerash ka zbuluar edhe arsyet e dorëheqjes nga PDK.

Në letrën e tij, Buja ka shkruar se PDK nuk është duke vepruar si opozitë.

Ai tutje është shprehur se ka pasur mungesë të plotë të komunikimit kryetar-nënkryetar, duke shtuar se asnjëherë nuk ka qenë në zyrën e kryetarit të partisë.

Ai madje ka thënë se kryetari Memli Krasniqi nuk ka shprehur fare interesim ndaj nismave të Bujës për prurje të të rinjve në PDK.

“Nisur nga ato që u lartëthanë, unë bëra këtë veprim, duke mbetur, megjithatë, anëtar i partisë dhe i Këshillit Drejtues të saj. Me disponim të përhershëm për të ndihmuar në fuqizimin dhe dinamizimin e veprimeve të mëtutjeshme, jo në përgjumje!” ka shkruar Buja në fund të letrës së tij./Indeksonline/