75 Mall Live Search
14:43 / E Premte, 05 Shkurt 2021 / OSH

Ramë Likaj reagon për dorëheqjen e anëtarëve të KSHC-së: Jam i befasuar, u garantoj vendimmarrje të pavarura në arsim

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Likaj, ka reaguar pas dorëheqjes së pesë anëtarëve të Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, duke thënë se si ministër është  i befasuar me këto dorëheqje dhe se nuk ka  qenë në dijeni për arsyet e prezantuara në letrën e dorëheqjes së anëtarëve ndërkombëtarë.

Ai ka thënë se nëse këto arsye do t’ishin prezantuar më parë, do të ishte angazhuar për gjetjen e një zgjidhjeje dhe se do të kishte shikuar mundësinë për të mbështetur ata.

Reagimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe të Institucioneve të Arsimit të Lartë,

Të nderuar ambasadorë të vendeve mike,

Ministria e Arsimit dhe Shkencës po monitoron nga afër situatën e krijuar së fundmi, pas dorëheqjes së pesë anëtarëve (dy vendorë dhe tre ndërkombëtarë) të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

E ndiej si obligim të ofroj këndvështrimin tim dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës lidhur me këto dorëheqje.

Si ministër u emërova në qershor të vitit 2020 dhe që nga emërimi im ne si MASHT kemi siguruar mbështetjen e plotë për punën e pavarur të AKA-së dhe jemi përpjekur të sigurohemi që të mos ketë asnjë ndërhyrje politike në funksionimin e AKA-së, përfshirë këtu edhe punën e KSHC-së.

Ne kemi ndërmarrë disa veprime për të siguruar atë mbështetje dhe pavarësi për AKA-në, ndër to:

-Themelimi i Komisionit të ankesave të AKA-së (tashmë operacional dhe funksional);

– Procedurat intensive për zhvillimin dhe finalizimin e Ligjit të ri për AKA-në (drafti përfundimtar veçse ka dalë për konsultim paraprak publik);

-Kemi mbështetur zhvillimin e Strategjisë së AKA-së (procesi është në vazhdimësi). Për më tepër, aktualisht me Ministrinë e Brendshme dhe Zyrën e kryeministrit ne po punojmë ngusht për të siguruar ambiente të reja dhe rekrutimin e stafit të ri për AKA-në në mënyrë që të sigurohemi që shërbimet që ofrohen nga AKA-ja të jenë cilësore.

Të gjitha këto, ne i kemi bërë me qëllimin më të mirë, që AKA-ja të kthehet atje ku i takon (anëtarësimi në ENQA) dhe për të mundësuar që ajo të punojë në pavarësi të plotë dhe në përputhje me ESG-të për sigurimin e cilësisë (veçojmë pikën 3.3 pavarësia: agjencitë duhet të jenë të pavarura dhe të veprojnë në mënyrë autonome. Ato duhet të kenë përgjegjësi të plotë për veprimet e tyre dhe rezultatet e këtyre veprimeve pa ndikimin e palëve të treta).

Më lejoni të theksoj se, unë si ministër, jam i befasuar me këto dorëheqje dhe nuk kam qenë në dijeni për arsyet e prezantuara në letrën e dorëheqjes së anëtarëve ndërkombëtarë. Nëse këto arsye do të më ishin prezantuar, unë do të isha angazhuar në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat me të cilat përballeshin dhe do të kisha shikuar mundësinë për t’i mbështetur ata.

Së fundmi, unë dua t’ju garantoj të gjithëve se do të mbetem i përkushtuar për të siguruar pavarësinë e vendimmarrjes së institucioneve të pavarura brenda sektorit që drejtoj dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejoj të minimozohet puna dhe angazhimi i përbashkët për të rritur cilësinë e arsimit tonë.

Ramë LIKAJ,

Ministër i Arsimit dhe Shkencës…