Ramiz Krasniqi: Pres korrektësi nga UEFA për ndeshjen me Lincoln

Ndeshja ndërmjet Lincoln dhe Prishtinës e paraparë të zhvillohej dje me fillim nga ora 18:00, u anulua si shkak i 8 rasteve me Covid-19 te skuadra kryeqytetase.
Pas anulimit të kësaj ndeshje ka folur edhe trajneri i Prishtinës në këtë garë, Ramiz Krasniqi, ku tha se kjo është një përvojë e re për të dhe se për këtë ndeshje pret korrektësi nga UEFA, shkruan IndeksOnline
“Ramiz Krasniqi: Pres korrektësi nga UEFA
Pas shumë e shumë vitesh edhe si futbollist, edhe si trajner, jam përballur dhe kam përjetuar gjithçka, por ky ishte përjetim i ri dhe do të jetë i paharruar dhe i pakuptueshëm njëkohësisht. Në Prishtinë e gjithë ekspedita kemi dal negativ dhe për mua me të vërtet ishte qesharake që nga 18 futbollistë të dalin pozitiv 7 futbollistë dhe një portier çka edhe na e pamundësonte daljen në fushë edhe sikur të na lejonin.
Më interesante ishte ardhja e një personi zyrtar vendas i cili erdhi në hotel për të na i kërkuar mostrat (!), periudhë kjo sa ishim të izoluar për të dal nga hoteli. Normalisht ishte e papranueshme dhe një gjë e tillë iu bë e qartë nga personi ynë zyrtar, Bajram Shala.
Rasti më eklatant ishte rasti i trajnerit Xhelal Karabegu, rezultatin e të cilët nuk na sillnin me arsyetimin se ai nuk ishte testuar e kur në fakt ishte i testuar si të gjithë tjerët. Dhe pas këmbëngulësisë së Shalës, e sollën rezultatin pas shumë orësh. Karabegu doli të ishte negativ ashtu edhe siç prisnim, sepse ishte shëndosh e mirë.
Me të vërtet do të jetë përjetim sa të jem gjallë.
Unë jam seleksionues i Përfaqësueses së Kosovës dhe nuk më lejohet të flas për ndonjë dyshim. Por, në të vërtetë shumë gjëra nuk kanë shkuar ashtu siç duhet. Ne i kemi pasur 10 futbollistë për të luajtur duke e shtuar edhe futbollistin që doli pozitiv si të 11-në, i cili kishim argumentin që ai tash më kishte kaluar virusin para shumë javësh. Por, autoritetet vendase nuk lejuan duke këmbëngulur që mos të luhet me asnjë kusht ndeshja.
Sinqerisht, kemi qenë në nivel të duhur në çdo pikëpamje, në sjellje duke qenë korrekt maksimalisht, në çdo procedurë dhe besoj në korrektësinë e UEFA-s, sidomos duke pasur parasysh dy herë rresht udhëtimin me shpenzime enorme nga klubi dhe sakrifica e lojtarëve për çka i falënderoj shumë, duke treguar që ne kemi dashur të përfundojmë ndeshjen në tapetin e blertë ashtu siç rekomandon vetë UEFA”.