75 Mall Live Search
13:50 / E Mërkurë, 06 Janar 2021 / k.v

Ramiz Lladrovci shpall kandidaturën për mandatin e dytë në krye të komunës së Drenasit

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për mandatin e dytë në krye të komunës.

Kryetari i komunës të shpallur me performancën më të mirë në nivel vendi, kërkon edhe njëherë votën e qytetarëve për të kryer projekte të mëdha lokale.

Ai thotë se ka pasur zotime për sigurinë e kandidaturës së tij për mandatin e dytë në Degën e Drenasit dhe në Kryesi të PDK-së. Ky zotim pritej të formalizohej gjatë nëntorit të kaluar nga kryetari Veseli, por sipas Lladrovcit për fat të keq, ndodhi goditja e rëndë për të gjithë ne, Haga

Statusi i plotë i Lladrovcit:

Unë, Ramiz Lladrovci, shpall kandidaturën për mandatin e dytë në krye të Komunës së Drenasit.

Për mungesë të konfirmimit të kandidaturës sime për kreun e Komunës së Drenasit, nga Kryesia dhe u.d. i kryetarit të PDK-së, shpall kandidaturën time si kandidat për kreun e Komunës së Drenasit, edhe për një mandat.

Çështjen e mandatit të dytë, e kam trajtuar në takim me liderin tonë, në fund të shtatorit me z. Veseli, gjatë promovimit të punës sime si “kryetari me performancën më të mirë në Kosovë”. Në atë kohë, kam cekur se as tre muaj e as gjashtë muaj, nuk janë të mjaftueshëm për përgatitje të zgjedhjeve lokale.

Kam pasur zotime për sigurinë e kandidaturës sime për mandatin e dytë në Degën e Drenasit dhe në Kryesi të PDK-së. Ky zotim pritej të formalizohej gjatë nëntorit të kaluar nga kryetari Veseli. Për fat të keq, ndodhi goditja e rëndë për të gjithë ne, Haga.

Pas nëntorit, Dega e PDK-së në Drenas me disa keqbërës jo vetëm nga dega në Drenas, por edhe më gjerë, filluan ta mohonin emrin tim si kandidat i PDK-së për kryetar të Drenasit. Kishte të atillë që deklaronin se dega nuk e duron kryetarin e komunës që nuk është i dëgjueshëm. Madje, pati edhe një distancim publik nga anëtarët e kryesisë së degës për mua dhe punën time.
Për tre vjet, puna ime ka rezultuar me aderimin e 9 këshilltarëve të partive tjera në grupin e atyre të PDK-së. Por kjo, disa keqbërësve nuk u pëlqeu. Prandaj, nuk marr përgjegjësi për gjendjen e krijuar.

E di se edhe sa ishte këtu kryetari Veseli në tri palë zgjedhje, kishte persona të profilit të lartë të partisë që deklaronin se nuk jam kandidat i PDK-së, se nuk jam i dëshirueshëm as për PDK-në, as për Hashimin e as për Kadriun, gjë e cila më lëndonte shumë. Ishte e kundërta. Me mish e me shpirt jam munduar dhe kam punuar, duke qenë Drenasi e vetmja komunë e PDK-së, e fituar pa balotazh.

Dega e PDK-së në Drenas dhe shumica në Kryesi të PDK-së e dinë se unë nuk nuk nënshtrohem as shantazhit e as kërcënimit.

Kam pritur nga kryetari në detyrë të reflektojë, sikurse që duhej të reflektonte edhe kryesia e partisë, rreth kandidaturës sime.

Nuk e kam ndërmend t’u nënshtrohem apo nënrenditem as në Degën e PDK-së në Drenas, as keqbërësve të tjerë jashtë degës.

Gjatë tërë jetës, kam qenë dhe jam njeri i besës dhe i fjalës. Ky deklarim imi, ndoshta do të ketë pasoja për të gjithë, por më së shumti për keqbërësit në zgjedhjet e ardhme qendrore e lokale.

Pra, jam kandidat për kryetar të Drenasit, edhe për mandatin e dytë.
Vendimin për mandatin e dytë ua lë sërish në duar qytetarëve të Komunës së Drenasit. Pres që ata të vendosin, duan apo nuk duan, të më shohin në krye të komunës edhe katër vjet.

Me nderime,
Ramiz Lladrovci