75 Mall Live Search
14:57 / E Mërkurë, 07 Janar 2026 / KV

Ramiz Lladrovci: Situata pas vërshimeve po stabilizohet, vetëm një rrugë mbetet e bllokuar në Drenas

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar qytetarët lidhur me situatën pas vërshimeve të fundit, duke i falënderuar ata për respektimin e vendimeve të Drejtorisë së Emergjencave dhe Policisë së Kosovës.

Sipas tij, reshjet kanë pushuar dhe aktualisht rruga e vetme e bllokuar mbetet Drenas-Guri i Plakës, ndërsa të gjitha rrugët e tjera që më herët ishin të pakalueshme tani janë të hapura për qarkullim, por me kujdes të shtuar.

Lladrovci ka bërë të ditur se angazhimet me prioritet për largimin e ujit te Lokalet e Reja, afër Stacionit të Autobusëve, po japin rezultate dhe situata pritet të përmirësohet së shpejti.

Në fund, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë vendimet e organeve kompetente, të ndihmojnë aty ku munden për tejkalimin e situatës dhe të tregojnë kujdes të shtuar.