14:49 / E Enjte, 09 Maj 2019 / indeksADMonline

Ramush Haradinaj: Edi Rama është vëllai im!

Ani pse u quajt gënjeshtar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar sot, se homologu i tij, është porsi një vëlla për të, ashtu sikurse janë të gjithë shqiptarët tjerë.

Këtë deklaratë Haradinaj e bëri pas homazheve që bëri tek varri i heroit Ilir Konushevci dhe i Hazir Malajt.

Ai tha se respekton institucionin e homologut të tij shqiptar.

“Kryeministri i Shqipërisë është institucion, për të cilin unë kam shumë respekt. Kryeministri Edi Rama është vëlla i imi ashtu sikurse janë krejt shqiptarët kudo që janë. Të vërtetën do ta them pa marrë parasysh kujt i pëlqen ose jo. Unë kam thënë të vërtetën për Samitin e Berlinit”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët për deklaratat e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, ku ajo ka përjashtuar veten nga çdo plan se ajo bashkë me presidentët Vuçiç dhe Thaçi si dhe kryeministrin Rama, ka qenë pjesë e një plani për ndarjen e Kosovës, Haradinaj ka zgjedhur të mos përgjigjet direkt.

Ai ka thënë se suksesi më i madh i samitit të Berlinit është kalimi i procesit të dialogut nga shefja Federica Mogherini, në përgjegjësi të kacelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron.

“Pra, procesi i dialogut është larguar prej një adrese, e cila ka mundur me e befasu Kosovën me një marrëveshje të keqe… Është shumë me rëndësi që kushdo që ka besuar se duke e ndarë Kosovën arrihet një marrëveshje Kosovë – Serbi, e kanë parë se ai projekt është përmbyllur. Pra, marrja e dialogut prej zonjës Mogherini tek kancelarja  Merkel, që ka qëndrim të qartë e të vazhdueshëm kundër lëvizjes me kufij, tani mendoj se mundemi me qenë më të qetë. Duhet të jemi më vigjilent sepse kuzhinat vazhdojnë me gatu, por nuk kemi më rrezik nga ndarja e Kosovës”, tha Haradinaj.

Në fund, Haradinaj tha se duhet të ndryshohet regjimi i kufirit me Shqipërinë.