Raportet e ftohta mes dy kryeministrave shqiptarë/ Salihu: Rama po taktizon, ai kështu po e lufton dhe nënvlerëson Kurtin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama edhe dje në emisionin “Opinion” ka refuzuar të flas për homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti.
“Nuk flas për të…. Kam thënë që nuk do flas deri me 26 prill, por ja që do e shtyjë edhe pak këtë kohë. Kaq”, ka thënë Rama, shkruan Indeksonline.
Pse Edi Rama po refuzon të flas për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti?
Në lidhje me këtë çështje, Indeksonline ka kontaktuar me analistin e njohur, Fitim Salihu i cili beson se kjo është taktikë e Edi Ramës.
“Besoj që Edi Rama po taktizon. Duke mos replikuar me Albin Kurti, ai ka vendosur që kësisoj mos ta faktorizojë Kurtin në Shqipëri. Po ashtu, me gjasë kjo është mënyra se si ai ka vendosur ta luftojë dhe nënvlerësojë Kurtin”, tha Salihu.
Tutje, ai e cilësoj si katastrofale ngrirjen e raporteve mes Kurtit dhe Ramës.
“Është e dukshme që raportet e tyre janë të ftohura, madje të ngrira. Kjo është katastrofale – kryeministrat e dy shteteve shqiptare të mos komunikojnë mes vete. Kjo qasje është axhamillëk politik dhe shpërfaqje e mentalitetit të feudeve dhe pashallëqeve që nuk ka vizion për interesat gjithëkombëtare”, përfundoi ai.
Albin Kurti dhe Edi Rama që një kohë kanë shfaqur kundërshti me njëri-tjetrin. Kandidimi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri duhet se ka ngrirë akoma raportet mes tyre./Indeksonline/