Raporti i Auditimit nxjerr në pah dallaveret me OJQ-të fetare dhe komunat, marrëveshje pazari!

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit ( LINK ), vërteton edhe një herë se OJQ-të fetare në Republikën e Kosovës po marrin tendere nga komunat e Republikës së Kosovës, për qëllime të cilat lehtësisht do të duhej t’i kryenin vetë komunat. Përveç kësaj, bazuar ne raportin e ZKA-së, është treguar se niveli lokal (komunat) në Republikën e Kosovës, nga viti 2015 kanë bërë çmos për t’i dhënë financime OJQ-së “Caritas Kosova” (CIK), pa u respektuar asnjë procedurë tenderuese publike.
Sipas raportit të ZKA-së, Pika 3.1.1, komunat dhe “Caritas Kosova” kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dhe bashkëfinancimi, pa u zhvilluar asnjë procedurë konkurruese dhe me mungesë të plotë të transparencës.
Raporti i ZKA-së thekson së komunat as që kanë pasur ndonjë planifikim paraprak apo llogaritje se a kanë nevojë për këto marrëveshje me “Caritas Kosovën”, por, të gjithë planin dhe llogaritjen e kanë marrë direkt nga “Caritas Kosova”.
Ndërsa pagesat që janë realizuar nga komunat, nuk janë bazuar në sasinë e shërbimeve të kryera, por pagesat janë bërë me këste mujore apo 3- mujore, pavarësisht se a ka kryer ndonjë shërbim “Caritas Kosova” apo jo? Asnjë dokument mbështetës nuk është treguar për t’i arsyetuar pagesat ndaj “Caritas Kosovës”.
Për ta bërë edhe më të rënde gjithë situatën, raporti i ZKA-së tregon se edhe pse komunat kanë angazhuar “Caritas Kosovën” për t’i kryer shërbimet, prapëseprapë stafi shëndetësor që paguhet direkt nga komuna, kanë kryer 99% më shumë shërbime, sesa stafi shëndetësor i angazhuar nga “Caritas Kosova”.
Fakti që komunat dhe “Caritas Kosova” kanë nënshkruar kontrata “paushall” dhe të pabazuara askund, tregohet edhe nga vetë fakti që disa persona me profesion “punëtorë në administratë”, “farmacistë”, “teknikë dhëmbësh”, “logopedë”, ku asnjëra nga këto profile nuk përkon me llojin e shërbimeve shëndetësore, që ishin kontraktuar. Më poshtë, një tekst i shkëputur nga raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Ajo çka është më shqetësuese, është që të gjithë këta tenderë që fitohen nga “Caritas Kosova” dhe “Islamic Relief”-i, paguhen me miliona euro nga buxheti i shtetit.
Por, këto OJQ nuk paguajnë asnjë cent tatim shtetit, pasi që janë të liruara nga tatimi, por vetëm për qëllime bamirëse. Ani pse, këto organizata nuk i shfrytëzojnë milionat e komunave për qëllime bamirëse, por përfitojnë nga ata tenderë dhe nuk paguajnë tatim.