Raporti i EULEX-it: Ka rënie në produktivitetin e seancave gjyqësore

Gjatë ditës së sotme misioni i EULEX-it ka prezantuar një raport lidhur me sistemin e drejtësisë.
Në këtë raport janë ngritur shqetësime për mungesën e progresit në trajtimin e rasteve të profilit të lartë në gjykatat e Kosovës, duke paralajmëruar për rrezikun e parashkrimit të tyre.
Në fjalën e tij shefi i njësisë së EULEX-it për monitorimin e rasteve, Hubert van Eck Koster, ka theksuar se nga 821 seanca të monitoruara nga shtatori 2022 deri në maj 2024, 230 kanë rezultuar joproduktive, duke krijuar vonesa të panevojshme në trajtimin e rasteve.
“Nga shtator 2022-maj 2024, 230 nga 821 seanca të monitoruara kanë qenë joproduktive. 138 seanca joproduktive dhe 92 të anuluara…Ka ende shumë seanca që mbahen pa ndonjë përparim të duhur qe shkaktojnë vonesa të panevojshme… Gjykatat nuk caktojnë ndëshkime për këto raste…Kemi vërejtur një përdorim te tepruar të masës se paraburgimit, në mënyrë sistematike pa një arsyetim te duhur dhe shpesh vazhdohet në mënyrë sistematike’’, është shprehur ai.
Më tej kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka shprehur shqetësimin për buxhetin e kufizuar, i cili sipas tij, po ndikon në performancën dhe efektivitetin e institucioneve të drejtësisë./Indeksonline/