75 Mall Live Search
14:08 / E Mërkurë, 07 Janar 2026 / P M

​Raporti i mediumit amerikan: Media dhe platformat serbe manipuluan incidentin e Krishtlindjeve në Mitrovicë

Incidenti i 6 janarit 2026 në veri të Mitrovicës, ku Policia e Kosovës konfiskoi përkohësisht dhe më pas ktheu një banderolë të Krishtlindjeve Ortodokse me mbishkrimin “Paqja e Zotit, Krishti lindi”, u shndërrua brenda pak orësh në një valë dezinformimi në platformat serbe dhe në disa media në Serbi dhe rajon.

Ndryshe nga faktet e verifikuara në terren – se banderola u mor përkohësisht dhe u rikthye po atë ditë, pa ndalim të përhershëm, pa arrestime dhe pa shkelje të konstatuar ligjore – një pjesë e konsiderueshme e raportimeve dhe postimeve online e paraqitën ngjarjen si akt të qëllimshëm të shtypjes fetare ndaj komunitetit serb në Kosovë.

The Kosovo Dispatch, medium i pavarur amerikan, i ka kushtuar një raport të veçantë këtyre narrativave, që për cak kishin dezinformimin për një masë të caktuar njerëzish.

Sipas mediumit, narrativa e rreme u përhap fillimisht në platformën X, pas një postimi të llogarisë “NationalIndNews”, dhe u amplifikua shpejt nga llogari dhe media serbe.

Llogaria “serbnews” publikoi pretendime për “grisjen” e banderolës nga Policia e Kosovës, duke sugjeruar shkatërrim të qëllimshëm të simbolit fetar, megjithëse nuk ka prova që banderola të jetë dëmtuar apo asgjësuar.

“Postimi origjinal i ‘NationalIndNews’ mori vëmendje të konsiderueshme (mbi 700 pëlqime, mbi 190 ripostime) dhe qarkulloi edhe përditësimi i tyre në lidhje me kthimin e banerit. Mbulimi ishte kryesisht nga perspektiva e lajmeve nacionaliste serbe ose rajonale, më pak të dukshme nga llogaritë e anës së Kosovës”, shkruan mediumi.

Më pas, sipas të njëjtit medium amerikan, RTS, përmes llogarisë ‘RTS_Vesti’, raportoi për incidentet e Badnji Dan-it duke i paraqitur veprimet e policisë si konfiskim të banderolave dhe simboleve ortodokse, pa theksuar faktin kyç se materialet u kthyen dhe se shprehja fetare nuk u ndalua përfundimisht. Edhe televizioni N1 Beograd e trajtoi çështjen në disa postime të ndara, duke theksuar ndërhyrjen fillestare, ndërsa korrigjimi mbi rikthimin e banderolës pati dukshmëri dukshëm më të ulët.

“Media të tjera rajonale, përfshirë ‘NewsmaxBalkans’, raportuan për ‘ndalimin’ e banderolës, duke krijuar përshtypjen e një mase permanente, edhe pse situata konsiderohej e zgjidhur brenda disa orësh.”

Një nga shembujt më ekstremë të dezinformimit, sipas The Kosovo Dispatch, erdhi nga llogaria ‘SerbNatlDef’, një organizatë me bazë në Shtetet e Bashkuara, e cila e paraqiti incidentin si “persekutim të të krishterëve serbë nga policia pushtuese myslimane shqiptare”. Ky pretendim nuk mbështetet në asnjë fakt ligjor apo institucional dhe synonte qartazi nxitjen e ndjenjave fetare dhe etnike për qëllime propagandistike, transmeton KosovaPress.

Përdorues të tjerë në rrjetet sociale shpërndanë fotografi dhe video të shkëputura nga konteksti, duke akuzuar autoritetet e Kosovës për intolerancë fetare dhe duke injoruar faktin se banderola u riinstalua publikisht pa asnjë pengesë.

Në disa raste, pamjet e riinstalimit u paraqitën si “presion publik” ndaj policisë, duke lënë jashtë informacionin se ndërhyrja ishte korrigjuar nga vetë institucionet e Kosovës. Sipas analizës së ‘The Kosovo Dispatch’, këto raportime nuk pasqyruan realitetin ligjor të ngjarjes. Ligjet e Kosovës nuk ndalojnë shprehjen e besimit fetar apo përdorimin e simboleve ortodokse, dhe në asnjë moment nuk u shpall ndalim zyrtar ndaj banderolës apo veshjeve fetare. Problemi kryesor ishte mungesa e një arsyetimi të qartë ligjor në momentin e ndërhyrjes së policisë, gjë që krijoi hapësirë për keqinterpretim dhe manipulim informativ. Revista vlerëson se dezinformimi i përhapur nga disa platforma serbe dhe media rajonale nuk ishte pasojë e mungesës së informacionit, por e zgjedhjeve editoriale që favorizuan narrativën e viktimizimit dhe përshkallëzimit politik. Kjo qasje, sipas The Kosovo Dispatch, synoi të paraqiste Kosovën si shtet që shtyp liritë fetare, pavarësisht se faktet dhe rezultati përfundimtar i ngjarjes e kundërshtojnë një pretendim të tillë.