75 Mall Live Search
13:42 / E Mërkurë, 24 Dhjetor 2025 / MSH1

Raporti i OSBE-së: Bashkëpunimi ndërkomunal në Kosovë nuk shfrytëzohet sa duhet

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar raport mbi bashkëpunimin ndër-komunal (BNK), që gjen se, ndonëse ekziston korniza ligjore për një bashkëpunim të tillë dhe se ajo është përgjithësisht e harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OECD-së, zbatimi i saj në praktikë mbetet i kufizuar dhe i pashfrytëzuar mjaftueshëm.

Sipas OSBE-së, bashkëpunimi ndërkomunal i referohet marrëveshjeve formale ose joformale përmes të cilave dy ose më shumë komuna bashkëpunojnë për të arritur qëllime të përbashkëta. Kur zbatohet në mënyrë efektive, BNK-ja mund të përmirësojë ofrimin e shërbimeve, tërheqjen e fondeve të reja dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve.

“Pavarësisht këtyre përfitimeve potenciale, raporti ynë konstaton se bashkëpunimi ndër-komunal është ende dhe shpeshherë joformal, i pastrukturuar, ose nuk ndodh fare. Si rezultat, shpesh humbasin mundësitë për shërbime më të fuqishme, shpenzime publike më efikase dhe bashkëpunim më të avancuar mes komuniteteve”, tha ambasadori Gerard McGurk, shef i misionit të OSBE-së në Kosovë.

Raporti e identifikon si mundësi të rëndësishme investimin në bashkëpunimin ndërkomunal si mjet për qeverisje lokale gjithëpërfshirëse, me kosto efektive dhe të qëndrueshme në Kosovë.

Njëkohësisht, ai ofron rekomandime për autoritetet. Këto rekomandime përfshijnë thjeshtimin dhe modernizimin e kornizës ligjore në mënyrë që të lehtësohet dhe përshpejtohet procesi i themelimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërkomunal; krijimin e stimujve domethënës të politikave, përfshirë këtu një fond të dedikuar dhe të qasshëm për bashkëpunimin ndërkomunal me kod buxhetor, të mbështetur nga udhëzime strategjike, modele dhe mentorim; forcimin e mbështetjes institucionale, veçanërisht përmes rritjes së kapaciteteve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për t’i këshilluar komunat, monitoruar marrëveshjet dhe promovuar përpjekjet për bashkëpunim ndër-komunal; dhe promovimin e BNK-së si shtytës të gjithëpërfshirjes, duke përfshirë bashkëpunimin në reagimet ndaj dhunës me bazë gjinore, shërbimeve për të rinjtë, si dhe iniciativave ndërmjet komunave me shumicë dhe struktura të ndryshme të komuniteteve.

Raporti përfundon duke thënë se nëse do të ndërmerreshin këto reforma dhe investime, bashkëpunimi ndërkomunal mund të evoluojë nga një praktikë margjinale në një mjet thelbësor për përmirësimin e performancës komunale dhe forcimin e qeverisjes lokale.