Raporti i PE-së për Kosovën, analistët: Lëvizje pozitive

Pas votimit të Raportit për Kosovën nga Parlamenti Evropian, në të cilin i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, analistët në Kosovë thonë se mund të këtë lëvizje në këtë drejtim.
Ndërsa, për sa i përket një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke, thuhet se kjo vështirë mund të arrihet. Vizitat e shpeshta të udhëheqësve të vendeve të BE-së në Kosovë e rajon, sipas analistëve, tregojnë se mund të ketë lëvizje pozitive për Kosovën.
Analistët kosovarë e vlerësojnë shumë pozitiv vendimin e Parlamentit Evropian që i bën thirrje Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovë. Ndërkohë, për herë të parë ky institucion nënvizon se marrëveshja përfundimtare dhe ligjërisht obliguese Ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë e bazuar në njohjen e ndërsjellë.
Analisti Dorajet Imeri tha për Radio Kosovën se Parlamenti Evropian prej kohësh e ka mbështetur Kosovën, por jo në mënyrë kaq eksplicite sa tani. Sipas tij, edhe vizitat e shpeshta të udhëheqësve të vendeve të BE-së në Kosovë e rajon, dhe deklaratat e tyre, tregojnë se mund të ketë lëvizje në drejtim të liberalizimit të vizave për Kosovën.
“E para, Kosova mund të ketë një liberalizim të vizave, e dyta mund ta shtyjë Kosovën dhe Serbinë për të pasur një zgjidhje të pranueshme për palët, në qendër të së cilës është njohja e pavarësisë së Kosovës dhe e treta, është se BE-ja duke e mirëmbajtur Ballkanin dhe duke e mbajtur afër vetes, do të mundë të ruajë sigurinë e saj dhe, në këtë mënyrë, mund të hapej edhe rruga për anëtarësim të plotë të këtyre shteteve në BE”, deklaroi Imeri
Por, Imeri theksoi se duke njohur bartësit e këtij procesi, vështirë është se mund të ketë një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“Por, mund të kemi një marrëveshje e cila mund të jetë shumë implicite, pra nuk do të përmendej njohja. Ose mund të krijohen marrëdhënie diplomatike, që do të jetë një njohje e heshtur…”, tha mes tjerash Imeri.
Profesori Afrim Hoti, tha se vendimi i djeshëm në Parlamentin Evropian është pozitiv për Kosovën, por sipas tij, nuk ka shumë hapësirë për optimizëm. Kjo pasi siç tha ai, Parlamenti Evropian dallon nga institucionet e tjera në kuptimin e vendimmarrjes, sepse vet Parlamenti është i vetmi institucion i BE-së që komunikon normalisht me shtetin tonë.
“Mbi këtë bazë, mendoj që po ndiqet diskursi i parlamentit për ta çuar përpara çështjen tonë. Sido që të jetë, çështja e vendimmarrjes përfundimtare iu përket institucioneve të tjera, në radhë të pare Këshillit Evropian, i cili fatkeqësisht nuk po mund të tregojë unitet në kuptimin e vendimmarrjes për Kosovën”, tha profesor Hoti.
Sipas profesor Hotit, shpresa e vetme dhe shumë serioze ka qenë qëndrimi i qeverisë gjermane, respektivisht deklarata e kancelarit Olaf Scholz, ku për herë të parë një faktor serioz evropian, përtej SHBA-së, e kërkon me zë të qartë që epilogu duhet të dihet dhe ajo është njohja reciproke.
“Dhe sa më shumë kemi deklarime të tilla, në veçanti nga shtetet anëtare ët BE-së, mendoj që është shumë e rëndësishme. Përfundimisht mendoj që do të ketë zhvillime interesante dhe një syçelësi e institucioneve tona, sigurisht do të shpinte përpara këtë proces me hapa më të përshpejtuar”, deklaroi Hoti.
Lidhur me deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se së shpejti mund të ketë liberalizim të vizave për Kosovën, analistët thanë se ai i bën këto më shumë për konsum e përfitime politike. Sipas tyre, deklarata të tilla nuk janë të rralla, pasi ai i bën për të treguar se ka informacione.