75 Mall Live Search
22:02 / E Enjte, 21 Tetor 2021 / MSH

Raporti i Progresit vlerëson përparim të kufizuar në disa fusha të mjedisit

Në kuadër të Raportit të Progresit për Kosovën është trajtuar edhe mjedisi dhe ndryshimet klimatike, ku është raportuar kryesisht për probleme dhe mos arritje të përmbushjes së objektivave.

Megjithatë, në kuadër të raportit, është raportuar për progres të kufizuar në disa fusha.

Në mënyrë të veçantë progres i kufizuar është evidentuar në raportimin mjedisor, identifikimin e burimeve të ndotjes së ajrit dhe në monitorimin e cilësisë së ajrit.

“Progres i kufizuar është arritur gjatë periudhës raportuese, veçanërisht në raportimin mjedisor dhe monitorimin e cilësisë së ajrit” thuhet në konkluzionet e Raportit të Progresit në kapitullin e Mjedisit.

Ndërsa në pjesën kur flitet për cilësinë e ajrit thuhet në mënyrë specifike se ka pasur progres në monitorimin në kohë reale, identifikimin e burimeve të ndotjes së ajrit dhe raportimin e cilësisë së ajrit.

Progres tjetër është vleresuar edhe në sektorin e mbeturinave ku është evidentuar zvogëlimi i deponive ilegale të mbeturinave, ku thuhet se numri i deponive ilegale është ulur, nga 2,529 më 2019, në 1,189 më 2021.

Si progres tjetër që përfshihet në kuadër të sektorit të ujërave është vlerësuar edhe aktiviteti për fillimin e procesit të hartimit të planeve menaxhuese për pellgje lumore.

Tek sektori i mbrojtjes së natyrës si progres është vlerësuar miratimi i Ligjit për shpalljen e specieve të egra, të bimëve dhe kafshëve të mbrojtura dhe strikt të mbrojtura, si dhe krijimi i sistemit të monitorimi për Rrëqebullin ballkanik në Kosovë, që gjithashtu ndërlidhet me angazhimin e Institutit të Mbrojtjes së Natyrës për monitorimin e specieve të rrezikuara përmes kamerave kurth në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile.