75 Mall Live Search
15:36 / E Premte, 07 Nëntor 2025 / S Z

Raporti i Progresit vlerëson punën e Zyrës për Rikthimin e Aseteve, e cila vepron në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit

Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, mirëpret raportin e progresit të publikuar nga Bashkimi Evropian, i cili vlerëson lartë punën e kësaj zyreje.

Sipas këtij raporti kjo zyrë gjatë vitit 2024 ka shënuar rezultate të theksuara në identifikimin dhe gjurmimin e pasurisë së fituar me vepër penale, e cila ka qenë objekt i rikthimit të mundshëm te buxheti i shtetit apo te pala e dëmtuar.

Gjithashtu, ky raport potencon se Zyra për Rikthim të Aseteve, ka shënuar sukses edhe në bashkëpunimin ndërkombëtarë, duke shkëmbyer informacione me shumë vende të botës.

Për më tepër raporti i progresit thekson se “Zyra e Rikthimit të Aseteve, e themeluar vitin e kaluar në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, trajtoi me sukses një numër kërkesash në vitin e saj të parë, duke rezultuar në rikthimin e aseteve jashtë vendit”.

Gjithashtu, raporti i progresit ka kërkuar që burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare duhet t’i ndahen ZRA-së.

“Zyra per Rikthimin e Aseteve, duke çmuar lartë raportin e progresit të publikuar nga Bashkimi Evropian, shprehë përkushtimin për të vazhduar angazhimin e saj në plotësimin e të gjitha standardeve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që suksesi i ZRA të jetë edhe më i madh në të ardhmen”, thuhet në njoftim të Zyrës për Komunikim Publik në ZKPSH.