75 Mall Live Search
09:32 / E Enjte, 09 Tetor 2025 / MSH

Raporti: Kosova e prirur ndaj fatkeqësive natyrore

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka shpërndarë të dhënat e raportit evropian për mjedisin.

Nga gjetjet e raportit bëhet me dije se Kosova është e prirur ndaj fatkeqësive natyrore si thatësirat, zjarret, rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet.

“Në vitin 2023, vetëm përmbytjet shkaktuan 3.75 milionë euro dëme në familje. Ndikimet klimatike në burimet ujore pritet të dëmtojnë sektorët bujqësorë dhe pyjorë, duke kërcënuar sigurinë e të ardhurave të familjeve rurale. Banka Botërore vlerëson humbjet nga zjarret në pyje në 1.368 euro/ha, me 14.144 ha të prekura nga viti 2008 deri në vitin 2018” thuhet mes të tjerash në raport.

Raporti thekson po ashtu Strategjinë kombëtare për uljen e rrezikut nga fatkeqësitë dhe draft-strategjinë e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, si angazhim i Kosovës për të rritur qëndrueshmërinë dhe zvogëluar cenueshmërinë nga fatkeqësitë natyrore.

Raporti është përpiluar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit, që funksionon në margjinat e BE-së.

Ky është njoftimi i plotë:

Humbjet ekonomike të ndërlidhura me klimën

Kosova është e prirur ndaj fatkeqësive natyrore si thatësirat, zjarret, rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet, të cilat mund të ndikojnë ndjeshëm në aktivitetin ekonomik, stabilitetin fiskal dhe popullatat e cenueshme. Parashikimet tregojnë ngrohje më të lartë rajonale, ulje të reshjeve vjetore dhe përmbytje më të shpeshta pranverore, duke çuar në mungesë uji në disa pellgje lumenjsh.

Përmbytjet e fundit shkaktuan dëme ekuivalente me 0.9% të produktit të brendshëm bruto, duke prekur rreth 10.000 njerëz në vit dhe duke rezultuar në humbje prej afërsisht 50 milionë dollarë amerikanë në produktin e brendshëm bruto.

Në vitin 2023, vetëm përmbytjet shkaktuan 3.75 milionë euro dëme në familje. Ndikimet klimatike në burimet ujore pritet të dëmtojnë sektorët bujqësorë dhe pyjorë, duke kërcënuar sigurinë e të ardhurave të familjeve rurale. Banka Botërore vlerëson humbjet nga zjarret në pyje në 1.368 euro/ha, me 14.144 ha të prekura nga viti 2008 deri në vitin 2018.

Strategjia Kombëtare për Uljen e Rrezikut nga Fatkeqësitë dhe Draft Strategjia e Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike nxjerrin në pah angazhimin e Kosovës për të rritur qëndrueshmërinë dhe për të zvogëluar cenueshmërinë. Të dyja strategjitë ofrojnë masa të qarta për të adresuar rreziqet nga fatkeqësitë dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike në Kosovë.