75 Mall Live Search
17:27 / E Mërkurë, 18 Shtator 2024 / L K

Raporti nga Takimi i Pestë Ministror për Integrimin e Romëve në kuadër të Procesit të Berlinit

Nën patronatin e qeverisë gjermane, ministrja për Evropë , Anna Lührmann, dhe në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, u mbajt takimi i pestë ministror kushtuar integrimit të romëve në kuadër të Procesit të Berlinit. Takimi ishte një mundësi për shkëmbimin e përvojave, analizën e rezultateve të arritura dhe identifikimin e sfidave në zbatimin e Deklaratës së Poznanit. Temat kryesore përfshinin punësimin, arsimin, strehimin dhe qasjen në shërbimet shëndetësore për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian.

Qeveria e Kosovës, të cilën pata nderin ta përfaqësoj si zëvendëskryeministre për të drejtat e njeriut dhe çështjet e pakicave, është përfshirë në mënyrë aktive në zbatimin e Deklaratës së Poznanit, duke vendosur objektiva të larta dhe ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

 Rezultatet e Republikës së Kosovës në Zbatimin e Deklaratës së Poznanit

 Punësimi

Papunësia mes popullsisë rome, ashkalie dhe egjiptiane në Kosovë mbetet ende e lartë, megjithatë, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për ta përmirësuar këtë situatë. Është krijuar një mekanizëm për promovimin e punësimit në kuadër të shërbimeve publike, duke përfshirë sektorët e sigurisë, shëndetësisë dhe arsimit.

 Strehimi

Një nga sukseset kryesore të Republikës së Kosovës është zbatimi i suksesshëm i fondeve evropiane për përmirësimin e kushteve të strehimit. Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka përdorur në mënyrë efektive këto fonde për ndërtimin dhe përmirësimin e strehimit për popullsinë rome. 

– Fondet evropiane kanë ndarë 25 milionë euro për ndërtimin e njësive të banimit në Ballkanin Perëndimor, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme është alokuar për Kosovën. 

Për më tepër, është miratuar Studimi i Fizibilitetit për Strehimin Social, si dhe Drafti i Ligjit për Strehimin Social dhe të Qasshëm, që do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e strehimit për këto komunitete.

 Arsimi

Në fushën e arsimit, Qeveria e Kosovës ka bërë përparime të rëndësishme në ofrimin e mbështetjes financiare për nxënësit dhe studentët nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian. Ne vazhdimisht mbështesim projekte për mbrojtjen e identitetit kombëtar, kulturës dhe gjuhës, si dhe përfaqësues të mediave.

 Shëndetësia

Në fushën e mbrojtjes shëndetësore, Kosova ka realizuar 143 seanca vaksinimi të lëvizshme në 16 komuna, duke ofruar shërbime shëndetësore për fëmijët romë, ashkalinj dhe egjiptianë. 

Edhe pse është bërë përparim në qasjen në shërbimet bazë shëndetësore, Qeveria njeh nevojën për përmirësime të mëtejshme për të arritur plotësisht objektivat e Deklaratës së Poznanit.

 Sfidat dhe Rekomandimet

 Mbledhja e të Dhënave dhe Monitorimi*

Një nga sfidat kryesore në rajon, përfshirë edhe Kosovën, është mungesa e sistemeve të duhura për mbledhjen e të dhënave për popullsinë rome. Është e nevojshme të vendosen mekanizma efikas për monitorimin e progresit dhe zbatimin e politikave, gjë që do të mundësonte planifikimin më të saktë dhe të synuar. Qeveria e Kosovës planifikon të investojë burime shtesë për zhvillimin e këtyre sistemeve.

 Lufta Kundër Diskriminimit

Qeveria e Kosovës ka krijuar një platformë kombëtare për raportimin e rasteve të diskriminimit, www.roportodikrminimin.org, që mundëson ndjekjen e drejtpërdrejtë dhe zgjidhjen e raportimeve për diskriminim. Deri më tani janë raportuar 50 raste, shumica e të cilave kanë rezultuar me zgjidhje pozitive në institucionet si prokuroria, policia dhe Institucioni i Avokatit të Popullit. Gjithashtu, 260 zyrtarë kanë kaluar trajnime për parandalimin e diskriminimit dhe luftën kundër anti-ciganizmit si mekanizma mbrojtës.

 Agjenda Digjitale

Kosova ka njohur rëndësinë e përfshirjes së romëve në transformimin digjital dhe agjendën digjitale, agjendën e gjelbër dhe projektet infrastrukturore në komunat ku jetojnë romët, dhe tashmë kemi rezultate të mëdha.

 Përfundim

Kosova ka arritur përparim të dukshëm në zbatimin e Deklaratës së Poznanit përmes masave konkrete në fushat e punësimit, arsimit, strehimit dhe luftës kundër diskriminimit. Përdorimi i suksesshëm i fondeve evropiane për përmirësimin e kushteve të strehimit dhe rritjen e punësimit brenda komunitetit rom dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Qeveria do të vazhdojë të punojë për këto prioritete për të siguruar përparim të qëndrueshëm dhe arritjen e objektivave të vendosura në kuadër të Procesit të Berlinit.

Shpreh mirënjohjen time për të gjithë partnerët që kanë mbështetur punën tonë dhe kanë kontribuar në përmirësimin e jetës së komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, dhe përshëndes të gjithë ministrat pjesëmarrës në këtë tryezë nga shtetet tona fqinje: Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Serbia.