75 Mall Live Search
18:35 / E Martë, 04 Nëntor 2025 / MSH

Raporti për Kosovën: Bllokimet politike po vonojnë zbatimin e reformave

Bashkimi Evropian ka vlerësuar se zbatimi i Agjendës së Reformave të Kosovës ka qenë i kufizuar, si pasojë e vonesave në ratifikimin e Marrëveshjeve për Fonde dhe Huadhënie. Në Raportin e fundit për Kosovën, Komisioni Evropian thekson se këto vonesa janë rezultat i bllokimeve politike që kanë penguar procesin e miratimit në Kuvend.

Sipas raportit, mosratifikimi i marrëveshjeve ka ndikuar drejtpërdrejt në realizimin e projekteve zhvillimore dhe në përparimin e reformave që synojnë forcimin e institucioneve, qeverisjen e mirë dhe përmirësimin e klimës ekonomike.

“Ratifikimi i Marrëveshjeve për Fonde dhe Huadhënie nga Kosova mbetet ende pezull, për shkak të bllokimit politik, dhe për rrjedhojë zbatimi i hapave të rënë dakord në Agjendën e Reformave të Kosovës ka qenë i kufizuar”, thuhet në raportin për Kosovën.

Raporti përmend se Kosova nuk i ka ratifikuar marrëveshjet që do t’i mundësonin të përfitonte nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor “për shkak të ngërçit politik”.

Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Kosova ende nuk ka arritur të formojë ekzekutivin e ri, duke pamundësuar ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.

Plani i Rritjes – paketë në vlerë prej 6 miliardë eurosh, synon përshpejtimin e rrugës së shteteve të rajonit në BE.

Kosovës i kanë rënë hise rreth 900 milionë euro – që do të thotë se për kokë banori është përfituesja më e madhe e këtyre mjeteve.