22:30 / E Shtunë, 16 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Raporti për Universitetet Publike, kërkohet përputhje e programeve me nevojat e tregut

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës ka dorëzuar në Qeveri dhe Komisionin Parlamentar për Arsim, raportin për të gjetur një zgjidhje rreth universiteteve publike të Kosovës.

Ministri Shyqri Bytyqi ka bërë të ditur se janë paraqitur dy propozime, ku njëri nga to ka të bëjë me profilizimin e universiteteve publike dhe tjera që ato të grupohen në vetëm dy universitete publike.

Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci ka thënë se ky vendim ka ardhur për shkak që shumica e programeve në Kosovë nuk kanë staf të mjaftueshëm akademik. Gjë e cila u pa edhe në vendimin e fundit të marr nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

“Vendimet e fundit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për tërheqjen e akreditimit të një numri të konsiderueshëm të programeve konfirmojnë atë që ka qenë e njohur për një kohë mjaft të gjatë – se në Kosovë nuk ka staf akademik të kualifikuar për një numër kaq të madh të programeve studimore” ka thënë ai.

 Universitetet publike kanë hapur programe pa plotësimin e kriterit kryesor që janë kuadrat, ka theksuar Pupovci, duke shtuar se vetëm në Kosovë janë pesë fakultete juridike dhe pesë ekonomike.

“Kjo, në veçanti ka të bëj me universitetet e reja publike, ku programet janë hapur pa plotësimin e këtij kriteri të rëndësishëm, edhe atëherë kur nuk ka pasur nevojë reale për programe të tilla. Kështu, ne sot, në sektorin publik në Kosovë, i kemi 5 fakultete juridike dhe 5 fakultete ekonomike, si dhe mijëra juristë dhe ekonomistë të papunë. Të shumtën, këto programe janë replikime të programeve të Universitetit të Prishtinës, pra nuk është se sjellin ndonjë vlerë të shtuar”, ka thënë ai.

 Ndonëse, raporti ende nuk është publikuar si i tërë, Pupovci po shpreson që të shërbej si bazë për të hapur diskutimin rreth arsimit të lartë në Kosovë.

“… se mund të shërbejë si bazë për të hapur diskutimin rreth arsimit të lartë publik në Kosovë. Mendoj se, në bazë të argumenteve, duhet të vlerësohet me gjakftohësi dhe pa politizim, se cilat janë ato programe në gjashtë universitetet e reja publike që mund t’i përmbushin kriteret e cilësisë për të qenë programe universitare, jo vetëm në momentin e tanishëm, por edhe në një të ardhme të afërt”, ka thënë ai.

 E gjë shumë e rëndësishme po konsiderohet nga eksperti i arsimit edhe përputhja e programeve me nevojat e tregut.

“Pastaj, duhet vlerësuar se cilat janë ato programe që janë në përputhje me nevojat e tregut të punës e cilat jo, cilat janë mundësitë buxhetore që të financohet replikimi i programeve të UP. Mendoj se vetëm pas një vlerësimi të tillë, të gjithanshëm dhe të argumentuar, mund të flitet se a do të ketë profilizim, bashkim, shkrirje apo mbyllje të universiteteve publike. Sido që të jetë, një diskutim i tillë është i domosdoshëm, pasi situata e tanishme është e paqëndrueshme. Vet fakti se 3 nga 6 rektorët e universiteteve të reja vazhdojnë ta ruajnë marrëdhënien e punës në UP flet për brishtësinë e këtyre institucioneve” është shprehur Pupovci.

Ai ka në fund ka nënvizuar se universitetet publike në Kosovë kanë rreth 30.000 studentë, të cilët sipas Pupovcit nuk janë fajtor që në Kosovë hapen institucione për qëllime elektorale.

“Me këtë rast, duhet marrë paraysh se gjashtë universitetet e reja publike i kanë rreth 30,000 studentë, pra po flasim për një numër të konsiderueshëm të të rinjve, të cilët nuk janë fajtorë që në Kosovë hapen institucione pa asnjë analizë paraprake dhe për qëllime elektorale. Prandaj, vendimet që merren nuk duhet t’i dëmtojnë ata, por as gjeneratat e reja që duan të arsimohen” .

Rikujtojmë, që Minsitri i MASHT, Shyqri Bytyqi pati shpjeguar se në raport janë paraqitur dy propozime, ku njëri parasheh që Universitetet të reduktohen në dy publike dhe të tjerat të mbesin kampuse, kurse propozimi i dytë ka të bëjë me profilizimin e tyre, ku secili universitet të përzgjedh profilet e nevojshme që janë kërkesa të tregut të punës./Indeksonline/