Raporti TÜV 2026: Këto janë makinat elektrike më të besueshme
Raporti i ri TÜV 2026 ka publikuar rezultatet e inspektimeve teknike për makinat elektrike në Gjermani, duke nxjerr në pah dallime të mëdha mes modeleve më të besueshme dhe atyre problematike.
Sipas të dhënave të bazuara në miliona kontrolle teknike, Mini Cooper SE renditet si automjeti elektrik më i besueshëm, me numrin më të ulët të defekteve serioze gjatë inspektimeve, shkruan “Bild”-i, transmeton IndeksOnline.

Performancë shumë të mirë kanë treguar edhe Audi Q4 e-tron dhe Fiat 500e, të cilat kanë kaluar kontrollin teknik me përqindje minimale dështimi.

Në anën tjetër të listës ndodhet Tesla Model Y, i cili shënon shkallën më të lartë të defekteve në kategorinë e makinave elektrike 2–3 vjeçare. Problemet kryesore lidhen me sistemin e ndriçimit, frenat dhe komponentët e pezullimit, duke e renditur Model Y ndër makinat më problematike të raportit.

Ekspertët e TÜV theksojnë se, në përgjithësi, makinat elektrike po tregojnë rezultate të mira në inspektim, por mirëmbajtja e rregullt dhe cilësia e ndërtimit mbeten faktorë kyç për sigurinë dhe jetëgjatësinë e tyre.
Raporti TÜV 2026 shërben si udhëzues i rëndësishëm për blerësit e automjeteve elektrike, veçanërisht për ata që po konsiderojnë blerjen e një makine të përdorur./IndeksOnline/


