Raportimet e Gjestit për padrejtësi, reagon drejtuesi i kompanisë në fjalë

Pas raportimeve të Gjestit se po përballet me padrejtësi dhe se nuk mund të publikojë projekte të reja muzikore për një kohë të pacaktuar për shkak të problemeve me distributorin e tij të mëparshëm, ka ardhur edhe reagimi i palës tjetër të përfshirë në këtë çështje.
Erkand Shabani, drejtues i platformës “Onima”, ka publikuar një reagim zyrtar ku shpreh “keqardhje të thellë” për, siç i quan ai, “lajmet e rreme” që sipas tij janë shpërndarë në adresë të Onimës nga Gjesti dhe menaxhmenti i tij.
Në reagim theksohet se sipas Onimës, burimi i mosmarrëveshjeve është dëshira e Gjestit për t’u liruar nga kontrata për shpërndarjen dhe monetizimin e përmbajtjeve të tij artistike — çështje që, siç thuhet, është e përcaktuar në kontratën e nënshkruar me vullnet të lirë nga vetë artisti.
Shabani shton se Gjesti dhe menaxhmenti i tij kanë bërë kërkesë për shkëputje të kontratës sipas një interpretimi të tyre, gjë që sipas Onimës është në kundërshtim me marrëveshjen ligjërisht të vlefshme.

Në një reagim të dytë, Onima shton se gjatë ditëve të fundit është përballur “me kërcënime, përpjekje për shantazh dhe shqetësime të shumta nga persona të inkriminuar në emër të Gjestit” me qëllim, sipas tyre, detyrimin për të liruar artistin nga kontrata. Shabani thekson se të gjitha këto veprime janë të dokumentuara dhe se kompania do t’u drejtohet organeve kompetente për zbardhjen e plotë të historisë.


Nga ana tjetër, Gjesti ka shprehur publikisht shqetësimin se kjo situatë po e pengon të ecë përpara me karrierën e tij muzikore dhe publikimin e projekteve të reja.