75 Mall Live Search
23:15 / E Martë, 07 Korrik 2026 / MSH1

Raportimet për varr masiv në Serbi, KQPZh: ‘Pasuljanske Livade’ është në fokus, çdo informacion do të verifikohet

Edhe 26 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, rreth 1,560 persona vazhdojnë të mbesin të zhdukur. Deklaratat e fundit të themelueses së Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, e cila ngriti dyshime për ekzistencën e një varri masiv në kompleksin ushtarak të Pasuljanske Livade në Serbi, kanë rikthyer në fokus çështjen e personave të zhdukur.

Pas këtyre deklaratave, IndeksOnline i është drejtuar me pyetje Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, duke kërkuar sqarime nëse institucionet kanë informacione për këtë lokacion dhe cilët do të jenë hapat e mëtejmë.

Në një prononcim për IndeksOnline, udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, tha se çdo informacion që mund të ndihmojë në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur trajtohet me seriozitet nga institucionet.

“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur trajton me seriozitet çdo informacion që mund të ndihmojë në ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë. Edhe lokacioni i përmendur ka qenë dhe mbetet pjesë e vëmendjes institucionale, krahas një numri lokacionesh të tjera me interes në territorin e Serbisë”, deklaroi Gara.

Ai theksoi se Komisioni vazhdon angazhimin përmes mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë që çdo informacion relevant të trajtohet me prioritet.

“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në vazhdimësi angazhohet përmes mekanizmave përkatës vendorë dhe ndërkombëtarë që çdo informacion relevant të trajtohet me prioritet. Dhe në këtë kuadër, mbetet me rëndësi zbatimi i plotë i obligimeve të marra në Deklaratën e Përbashkët për Personat e Zhdukur të 2 majit 2023, përmes të cilës institucionet e Serbisë obligohen që krahas hapjes së arkivave, ndër të tjera, të bashkëpunojnë në identifikimin e lokacioneve të varrezave masive dhe lejimin e gërmimeve vlerësuese”, u shpreh ai.

Sipas Garës, çdo informacion i ri duhet t’i nënshtrohet verifikimit profesional në terren.

“Përvoja gjatë këtyre 27 viteve të pasluftës dhe konfirmimi deri më tani i pesë varrezave masive në territorin e Serbisë, ka treguar se objekte dhe struktura nën kontrollin e aparatit shtetëror serb janë përdorur për fshehjen e trupave të viktimave të luftës. Për këtë arsye, çdo informacion i ri duhet t’i nënshtrohet vlerësimit profesional dhe gërmimeve në terren. E në veçanti lokacione të tilla si ‘Pasuljanske Livade’, që në të njëjtën kohë paraqet sfidë të veçantë për shkak të përmasave të kompleksit ushtarak, qasjes së kufizuar dhe mungesës së dokumentacionit relevant nga arkivat e ish-Ushtrisë Jugosllave dhe institucioneve të Serbisë, që do të mundësonte verifikim më efikas”, ka thënë Gara./IndeksOnline/