Raportimi për koronavirusin në Kosovë, ndikimi i mediave – Flasin profesorët universitarë

Përhapja e shpejtë e virusit Covid-2019 në gjithë botën ka bërë që të jetë “top” tema në të gjithë mediat botërore.
E kategoria më e ndjeshme, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit dhe Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, del të jenë personat e moshuar.
Por, sa janë të frikësuar personat në moshë dhe si po ndikojnë mediet për parandalimin edhe ruajtjen nga pandemia, tek ne flasin vetë ata.
Rrushe Hoxhaj, e cila jeton në fshat të Kosovës, thotë se ndjehet e frikësuar pasi që përcjell vazhdimisht lajmet dhe krejt ajo që thuhet është se po vdesin vetëm të moshuarit nga ky virus. Hoxhaj thotë qe edhe përmes mediave janë informuar për masat që duhet marrë për tu mbrojtur nga virusi.
‘‘Po shohim çdo ditë numri e njerëzve që po vdesin, ma shumë kam frikë edhe për të rite, po nga ana tjetër ne jemi në fshat, jemi larg kontaktit me njerëz, edhe masat tjera i kemi marrë. Edhe pse pastërtinë e kemi pasur gjithmonë diçka primare.’’
Një diçka tjetër qe e shqetëson atë janë shakatë e shumta që po bëhen me virusin dhe thotë që duhet të merret ma seriozisht.
Por jo vetëm personat të shtyer në moshë prekën nga ky virus. Nga analiza e CDC (Qendra për kontrollim dhe Parandalimin e Sëmundjeve) nga virusi mund të preken edhe mosha madhore ndërsa, fëmijët mund ta përhapin virusin por janë shumë më pak të prekshëm.
Shefi i Departamentit te Gazetarisë në UP- Milazim Krasniqi mendon që mediat në Kosovë janë duke raportuar mirë dhe se nuk e sheh si diçka negative kur çdo herë flasin për personat e moshuar, pasi kjo është tentativë për rritjen e kujdesit për këtë kategori sociale.
“ Une besoj që personat e moshuar kanë përvojën dhe moshën qe janë me pak te prirur për te pasur panik, kanë kaluar edhe kohe epidemish e kohë luftrash. Nuk konsideroj se informimi për ta si kategori me e rrezikume prodhon panik.”, u shpreh ndër tjera Krasniqi.

Njëjtë mendon edhe një 82 vjeçare nga Komuna e Skenderajt ku tregon që në jetë ka kaluar edhe sfida të tjera. Mirëpo, ajo shprehet se:
‘‘ Këtë nuk e kam pritur, me u nguju me u mshele, në lufte jemi kanë kemi dale prapë jashtë, kanë deshtë me na pre e me na mbytë por prapë nuk kemi mbete mrena. Kjo është ma e keqja. Por, duhet me i ndegju çfarë po thonë ne televizor edhe me u ruajt’’. u shpreh ajo.
Dren Gërguri-Ligjerues në Departamentin e Gazetarisë në UP e sheh më rendësi se si media paraqet te moshuarit sepse ajo ndikon edhe se si grup-moshat e tjera i shohin ata.
“Pothuajse te gjitha raportimet për rrezikun nga koronavirusi dhe, në veçanti raportimet që synojnë tërheqjen e vëmendjes se të moshuarve dhe për të moshuarit nuk përbejnë shkelje etike, sepse qëllimi është ndërgjegjësimi i të moshuarve, dhe i të tjerëve për të moshuarit në shoqëri, për kujdesin e shtuar qe duhet te kenë në ketë periudhë të vështirë.” u shpreh ai

Studentja, Diellza Thaqi thotë se po informohen vazhdimisht nga mediet por mendon se kanë ndikuar edhe parandalimin e përhapjes por njëkohësisht edhe krijimin e panikut.
‘‘Gjyshja ime kërkon që çdo mbrëmje ti lëshojmë lajmet që të njoftohemi për korona virusin. Ajo frikësohet kur dëgjon që është e rrezikuar. Mirëpo, ne kemi marrë të gjitha masat, nuk kemi kontakte me njerëz dhe respektojmë udhëzimet tjera, më shumë për ta ruajtur atë.’’ shtoi Diellza.
Deri me tani të prekur nga korona virusi në Kosovë janë 31 persona, dhe një i vdekur.
Tashmë janë mbi 277,000 raste në të gjithë botën – përfshirë mbi 11 ,000 vdekje nga COVID-19.
Gjithashtu raportohet se rreth 88,000 njerëz janë shëruar nga sëmundja./Indeksonline/
Shkruan Albijona Hoxhaj