14:05 / E Diele, 26 Korrik 2020 / indeksADMonline

Raportohen shifra rekorde të COVID-19 në gati 40 vende të botës

Gjatë javës që po lëmë pas, pothuajse 40 vende në botë kanë raportuar shifra rekorde të të infektuarve brenda një dite, që i bie të jetë afërsisht dyfishi i numrit me javën e kaluar.

Shtimi i numrit të rasteve nuk ka qenë në rritje vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brazil e Indi, vende të cilat ka kohë që prijnë për nga shpërthimi i koronavirusit, por edhe në Australi, Japoni, Hong Kong, Bolivi, Sudan, Etiopi, Bullgari, Belgjikë, Uzbekistan dhe Izrael.

Shumë vende, sidomos ato në të cilat u lehtësuan masat parandaluese ndaj koronavirusit, tashmë po përballen me një valë të dytë të COVID-19.

“Ne nuk do të kthehemi te ‘normalja e vjetër’. Pandemia e ka ndryshuar mënyrën se si ne jetojmë jetën tonë”, tha, këtë javë, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Po kërkojmë nga të gjithë që t’i trajtojnë si ‘jetë a vdekje’ vendimet se ku dalin, çfarë bëjnë e më kë takohen, sepse të tilla janë”, ka theksuar Ghebreyesus.

Sipas një raporti të “Reutersit”, të dhënat tregojnë një ngritje të vazhdueshme të numrit të vendeve që raportojnë rritje rekorde ditore të virusit gjatë muajit të kaluar.

Sipas ekspertëve dhe zyrtarëve shëndetësorë, me shumë mundësi, shifrat e vërteta të rasteve të reja dhe vdekjeve nga COVID-19 nuk raportohen, shkruan “Reuters”, përcjell “Zeri.info”.

Shtetet e Bashkuara mbeten në krye të listës së rasteve të reja, duke kaluar këtë javë më shumë se 4 milionë të infektuar dhe duke regjistruar më shumë se 1.000 vdekje për katër ditë rresht.

Brazili dhe India – për të cilat vende epidemiologët thonë se ka akoma muaj të tjerë ku me gjasë pritet arritja e kulmit të virusit – gjithashtu kanë tejkaluar 1 milion raste.