Raportohet për 19 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

Agjencia për mbrojtje civile në Gazë raportoi se 19 persona janë vrarë më 5 shtator si pasojë e një sërë sulmesh ajrore izraelite në dhe përreth Qytetit të Gazës – vendbanim që ushtria izraelite dëshiron ta marrë nën kontroll të plotë.
Zëdhënësi i kësaj agjencie, Mahmud Bassal, tha se sulmet goditën ndërtesa dhe tenda ku strehohen palestinezët e zhvendosur në disa lagje dhe në periferi të qytetit, ku Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se një milion persona po përballen me zi të bukës.
Izraeli ka intensifikuar bombardimet ndaj Qytetit të Gazës që kur ka deklaruar se do të nisë një ofensivë për ta marrë nën kontroll të plotë.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Nadav Shoshani, deklaroi një ditë më parë se nuk do të ketë njoftim për nisjen e ofensivës për shkak të “ruajtjes së elementit të befasisë”.
Ndërkaq, një zëdhënës tjetër ka thënë se Izraeli veçse kontrollon 40 për qind të qytetit.
Izraeli pret që ofensiva e re të detyrojë rreth një milion persona të zhvendosen drejt jugut të Rripit të Gazës.